PewDiePie është një emër i njohur për shumë njerëz që e ndjekin skenën e YouTube dhe gamingut, por mbase edhe për ata që e ndjekin shtypin e verdhë pasi që YouTuberi i njohur suedez shpesh shfaqet në kolonat e skandaleve vitet e fundit, raporton Ubergizmo.
Këtë herë, Felix Kjellberg, siç është emri i vërtetë i PewDiePie në lajme është paraqitur si YouTuberi i parë individual që i ka arritur 100 milionë abonentë.
Duhet të theksohet këtu se PewDiePie nuk është i pari që i arrinë 100 milionë abonentë, pasi që T-Series aktualisht i ka mbi 109 milionë abonentë, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, T-Series është një kanal që specializohet në muzikën e Indisë, kështu që titulli i rekorderit individual i shkon PewDiePie.
Me rastin e kësaj arritje, YouTube e ka krijuar një video kartolinë të shkurtër, duke treguar sesi ka përparuar ndër vite karriera e PewDiePie që kur ai e uploadoi videon e tij të parë në vitin 2010.
Edhe pse i ka arritur 100 milion abonentë, PewDiePie është vetëm i nënti në listën e Forbes të YouTubersëve më të paguar, me një fitim të vlerësuar prej 15.5 milionë dollarësh gjatë vitit 2018. Pozita e parë i takon një shtatëvjeçari, i cili i teston lodrat, dhe i cili i ka fituar 22 milionë dollarë gjatë vitit të kaluar.