Mund të ekzistojë një armë e re në luftën kundër dezinformatave: minjtë.
Si pjesë e betejës evoluese kundër “deep fakes” - video dhe audio që paraqesin figura të famshme, të krijuara duke e përdorur të mësuarit e makinës, të dizajnuar për t’iu dukur dhe dëgjuar origjinal - studiuesit po u drejtohen metodave të reja në përpjekje për të dalë përpara teknologjisë gjithnjë e më të sofistikuar.
Dhe është pikërisht në Institutin e Neuroshkencës së Universitetit të Oregonit aty ku po testohet një nga idetë më të çuditshme, transmeton “Koha Ditore”. Një ekip hulumtues është duke punuar në trajnimin e minjve për t’i kuptuar parregullsitë brenda të folurit, një detyrë kjo që kafshët mund ta bëjnë me saktësi të jashtëzakonshme.
Shpresohet që me kohë hulumtimi do të mundë të përdoret për t’i ndihmuar faqet si Facebooku dhe YouTube që të zbulojnë deep fake para se ato të përhapen në internet - megjithëse, të jemi të qartë, kompanitë nuk do të kenë nevojë për minjtë e tyre.
“Ndërsa mendoj se ideja e një dhome plot me minj në kohë reale të cilët i detektojnë audiot e rreme në YouTube është me të vërtetë simpatike,” thotë Jonathan Saunders, një nga studiuesit e projektit, “Unë nuk mendoj se kjo është praktike për arsye të dukshme.”Qëllimi është t’i marrim mësimet që i mësojmë nga mënyra se si ata e bëjnë atë, dhe pastaj ta implementojnë atë në kompjuter.”
Kategorizimi i minjve
Z. Saunders dhe ekipi i tij i trajnuan minjtë e tyre për ta kuptuar një grup të vogël fonemash, tingujt që i bëjmë e që e dallojnë një fjalë nga tjetra.
“Ne i kemi mësuar minjtë të na tregojnë dallimin midis një tingulli “buh” dhe “guh” nëpër një grup kontekstesh të ndryshme, të rrethuar nga zanore të ndryshme, kështu që ata e dinë 'boe' dhe 'bih' dhe 'bah' - të gjitha këto gjëra të ndryshme të bukura që i marrim dosido.
“Dhe për shkak se mund ta mësojnë këtë problem vërtet kompleks të kategorizimit të tingujve të ndryshëm të të folurit, ne mendojmë se duhet të jetë e mundur të trajnohen minjtë për ta detektuar deep fake nga e folura e vërtetë.”
Minjve iu dha shpërblim sa herë që i identifikonin saktë tingujt e të folurit, e që ishte deri në 80% të herave.
Kjo nuk është perfekte, por e shoqëruar me metodat ekzistuese të zbulimit të deep fakes, mund të jetë një kontribut jashtëzakonisht i vlefshëm.
Nuk mund të mbështetemi në gabime
Shumica e deep fake-ve që janë në qarkullim sot janë dukshëm jo të vërteta, dhe zakonisht përdoren si një mënyrë për ta tallur një temë, sesa për t’i imponuar ato. Më konkretisht: një deep fake i “Mark Zuckerbergut” duke folur hapur për vjedhjen e të dhënave të përdoruesit.
Por kjo nuk do të thotë se imponimi bindës nuk do të jetë problem në të ardhmen jo shumë të largët - kjo është arsyeja se pse kjo ka qenë një temë e konsiderueshme e bisedave në Black Hat dhe Def Con të sivjetëm, dy konferencat e hakerave që zhvillohen në Las Vegas çdo vit.