Gimbali i ri DJI Ronin SC është më i lehtë, më i lirë dhe më i fuqishëm se paraardhësi

Gimbali i ri DJI Ronin SC është më i lehtë, më i lirë dhe më i fuqishëm se paraardhësi

19 July 2019 17:01

DJI e ka paralajmëruar pasardhësin e gimbalit të vet manual Ronin S, i cili është më i vogël, më i lehtë dhe më i lirë, me një çmim fillestar prej 439 dollarësh dhe është në dispozicion tashmë. Bëhet fjalë për Ronin SC, ku "c" nënkupton "compact", dhe është më i përshtatshëm për kamerat mirorrless seç ishte paraardhësi i tij, raporton “The Verge”.

Ronin SC kryesisht e ndan dizajnin me paraardhësin, me një mbajtëse që hapet në një gimbal të trefishtë. Gjithçka është krijuar prej magnezit, çelikut, aluminit dhe plastikës kompozite, shkruan KOHA Ditore. Gimbali e ka një xhojstik dhe disa butona, të cilët ia mundësojnë përdoruesit ta ndryshojë mënyrën se si lëvizin këta gimbalë (ose e kontrollojnë drejtpërdrejt lëvizjen). Këtë herë në secilën këmbë të gimbalit ka switchë, gjë që do t'u ndihmojë përdoruesve që ta shtyjnë Roninin me më pak probleme, por edhe për ta lehtësuar ekuilibrin fillestar.

Image

Një tipar i rëndësishëm është se pesha e Ronin SC është reduktuar në 1.08 kilogramë, që është pothuajse gjysma e peshës së modelit Ronin S. Kjo, megjithatë, nënkupton se kapaciteti i tij i ngarkesës është më i kufizuar - ai mund të bartë kamera dhe thjerrëza me peshë deri në 2kg, krahasuar me 3.6kg sa i bart Ronin S.

DJI e përshkruan Ronin SC si "stabilizuesin më të vogël, më të lehtë dhe më inteligjent manual". Ai është madje më i zgjuar se modeli Ronin S, me dy karakteristika të reja. Një prej tyre është aftësia për t’i monitoruar subjektet me ndihmën e telefonit të mençur, siç mund ta bëjnë DJI dronët dhe kamerat Osmo.

Një tjetër veçori e re është Force Mobile, të cilën profesionistët mund ta përdorin për t’i telekomanduar kamerat e tyre, derisa ato montohen në një nga DJI-të më të avancuara. Në Ronin SC, Force Mobile do t'ua mundësojë përdoruesve të qëndrojnë në një distancë deri në 25 metra dhe t’i përdorin smartfonët e tyre për ta kontrolluar drejtimin e kamerës dhe gimbalit.

Ronin SC gjithashtu do të ofrohet në konfigurimin “Pro”, me një çmim prej 539 dollarësh, dhe vjen me rrotëzën për fokusim në pjesën anësore të pajisjes. Përdoruesit mund t’i lidhin kamerat e tyre dhe ta përdorin këtë rrotëz për ta konfiguruar manualisht fokusin në lëvizje për kontroll më specifik. Versioni Pro i SC-së livrohet me një motor të jashtëm fokusimi.

DJI ka shitur sisteme profesionale gimbal për vite, ndërsa sasia e habitshme e njohurive dhe vlerave që kompania i ka zhvilluar në këtë fushë është pasqyruar plotësisht në modelin SC. Ronin SC është një shembull kur kompania gjigante e teknologjisë investon gjithçka që e di për të konkurruar në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe segmentin më të ulët dhe më të lirë të tregut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme