Tech

Skype e mundëson ndarjen e ekranit në versionin Android dhe iOS

Microsofti më në fund e ka mundësuar funksionin e ndarjes së ekranit të Skype për përdoruesit e telefonave mobilë. Tani e tutje, përdoruesit e Android dhe iOS do të jenë në gjendje të përfitojnë nga përmirësimet e reja të cilat Skype sapo i ka implementuar, raporton PhoneArena.

Ndarja e ekranit gjatë telefonatave me Skype është e thjeshtë. Duhet ta shtypni menynë e re "..." dhe ta zgjidhni opsionin për ta filluar ndarjen e ekranit të telefonit. Menyja e re i përfshin edhe disa funksione të tjera, siç janë regjistrimi i telefonatave dhe përkthimet.

Përveç shtimit të ndarjes së ekranit, azhurnimi më i ri i Skype e sjell një numër përmirësimesh në cilësinë dhe lehtësinë e përdorimit. Këtu përfshihet ridizajnimi i bisedave mobile, e cila është këtu për t’i thjeshtuar video-thirrjet. Me një prekje është e mundur t’i fikni kontrollet e thirrjes dhe ta filloni një video bisedë të re. Gjithashtu, me prekje të dyfishtë largohen të gjitha kontrollet nga ekrani, shkruan KOHA Ditore.

Sipas Microsoftit, azhurnimi i ri me përmirësimet dhe shtojcat e reja është në dispozicion përmes shërbimeve Google Play Store dhe App Store.