WhatsApp kufizon dërgimin e mesazheve për të luftuar keqinformimin Foto: The Verge

WhatsApp kufizon dërgimin e mesazheve për të luftuar keqinformimin

21 January 2019 18:15

Aplikacioni i njohur për dërgimin e mesazheve, WhatsApp, po u kufizon përdoruesve të tij shpërndarjen e një mesazhi në jo më shumë se 5 herë, e kjo bëhet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e informacioneve të rreme në këtë platformë.

Ky aplikacion në zotërim të Facebookut e ka aplikuar këtë lloj politike në Indi 6 muaj më parë.

Lëvizja e tij pasoi vrasjet e bëra nga turma njerëzish të zemëruar, episode për të cilat u fajësua përhapja e informacioneve të pavërteta përmes këtij aplikacioni, transmeton KosovaPress.

Deri më tani, përdoruesit e WhatsAppit mund ta shpërndanin një mesazh 20 herë. Përditësimi i rregullave u njoftua gjatë një ngjarjeje të organizuar në Xhakarta të Indonezisë.

Gjithashtu, Whatsapp thotë se vendimi i marrë ishte rezultat i një vlerësimi të kujdesshëm, pas testimeve të bëra në këtë vend përgjatë gjysmës së vitit.

“Limiti i vendosur e redukton ndjeshëm dërgimin e mesazheve nëpër botë”, tha një zëdhënëse e saj.

Kjo, sipas zëdhënëses, do të ndihmojë që WhatsAppi të fokusohet te mesazhet private me rrethin e ngushtë, e me kalimin e kohës do të shihen mënyra të tjera për të zgjidhur çështjen e trajtimit të përmbajtjes virale.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme