Tech

Në Gjermani ndalohet shitja e modeleve të fundit të iPhonet

Descriptive Text

Një gjykatë e Mynihut vendosi sot një ndalim me kusht të shitjeve të modeleve të iPhone nga 7 deri tek X në Gjermani, duke i dhënë të drejtë prodhuesit të gjysmëpërçuesve “Qualcomm” në betejën e tij të gjatë juridike kundër Apple për shkelje të patentave.

“Nëpërmjet këtij gjykimi, shitja dhe qarkullimi i modeleve që nuk kanë licencë ndalohet në Republikën Federale të Gjermanisë”, njoftoi gjykata duke cituar se modelet e ndaluara janë iPhone 7, 7 Plus, 8, 8 Plus, dhe X.

Megjithatë në këtë komunikatë theksohet se që të aplikohet ky vendim ende provizor, “Qualcomm” duhet të derdhë një depozitë prej 668,4 milionë eurosh.

“I takon akuzuesit që të derdhë këtë shumë nëse dëshiron që gjykimi të aplikohet provizorisht”, njofton gjykata, shkruan ATSH.

“Për më tepër, vendimi nuk ka ende fuqi mbi këtë çështje, sepse është i mundur edhe apeli”, thuhet në komunikatën e gjykatës së Mynihut.

“Qualcomm”, kolosi amerikan i gjysmëpërçuesve, akuzon gjigantin e elektronikës Apple se ka shkelur një prej patentave në lidhje me një mikroçip të instaluar në modele të caktuara të iPhone.