Storie suksesi

Hava Maloku

Descriptive Text

1. Në cilin vit keni mërguar?

Kam mërguar në gusht të vitit 2003. Në atë kohë sa kisha përfunduar gjimnazin, dhe e kisha fituar një bursë për studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

Fillimet nuk kanë qenë shumë të vështira për arsye se në Amerikë kemi udhëtuar si grup i studentëve nga Kosova dhe e kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Vështirësia më e madhe për mua në muajin e parë ka qenë koncentrimi i madh gjatë komunikimit sepse nuk isha mësuar të flisja anglisht 100% të kohës. Kjo më ka marrë energji shumë.

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

Brenda tre muajve kam qenë veç e adaptuar me rrethin. Më ka ndihmu edhe fakti që kam jetuar në konvikt dhe si shoqe të dhomës kam pasur një studente amerikane. Në përgjithësi nuk kam hasur në asnjë vështirësi.

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?

Atdheu është shumë i rëndësishëm për mua. E dua shumë dhe jam shumë e lidhur me të. Ndoshta edhe për shkak të historisë së mbushur me sakrifica dhe vuajtje në përgjithësi. Unë mendoj se në përgjithësi të gjithë shqiptarët e Kosovës janë të lidhur shumë me atdheun.

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Kosovën?

Një herë në vit e ka raste që edhe dy apo tre herë në vit.

6. Sa ka ndryshuar Kosova sipas përshtypjes suaj?

Kosova ka ndryshuar shumë këto njëzet vitet e fundit e ndryshimi më i madh është shpallja e pavarësisë dhe fillimet e procesit të shtet formimit. Unë kur kam udhëtuar për herë të parë në Amerikë s’kam pasur as pasaportë, por vetëm një letër, më vonë për një kohë të gjatë kam përdorur pasaportë të UNMIK-ut. Me shpalljen e pavarësisë kam filluar ta shoh Kosovën të listuar si shtet nëpër website të ndryshme dhe organizata. Ndryshimet tjera të mëdha kanë qenë në zhvillimin e infrastrukturës, ndërtimit, sidomos në kryeqytet dhe ndryshimit tek mentaliteti i njerëzve. Kur kam ardhur në Amerikë një shumicë e vogel e popullatës e kanë folur gjuhën angleze, interneti ka qenë vetëm nëpër disa shtëpi në kryeqytet. Sot, rinia e Kosovës nuk ndryshon aspak prej asaj të botës perëndimore.

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Kosova në mërgim?

Më mungon gjithcka, duke përfshirë familjen dhe shoqërinë, kulturën dhe traditat, ushqimi, gjuha shqipe gjithandej por edhe vetë toka.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Kosovë?

Po, ajo është ëndrra ime, të kthehem dhe të kontribuoj për vendin tim.

Image

9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

Në fillimet e para të karrierës kam punuar për disa startups në fushën e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Pastaj kam ndërruar produktin dhe kam vazhduar të punoj për “Expedia”, që eshtë një nga brendet kryesore të udhëtimit në botë. Kam punuar edhe për një kompani në fushën ligjore të quajtur “Legalzoom” dhe së fundi në “LinkedIn”.

Për të arritur deri këtu është dashur një punë e përvojë e madhe. Kur kam aplikuar kam pasur një përvojë të gjerë në fushën e marketingut dhe një shkollim të duhur.

Linkedin është një shërbim biznesi dhe punësimi që operon nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve. Unë menaxhoj produktin më të madh në LinkedIn, LinkedIn Premium. Me fjalë tjera e menaxhoj marketingun online përmes emailave dhe webfaqeve për Linkedin Premium. Premium është një produkt me pagesë që i shtohet profilit dhe si rezultat anëtari me premium ka qasje në LinkedIn Learning ku mund të ndjekë mësime apo klasa online duke marre parasysh librarinë prej me shumë se 16,000 klasave.

Roli që kam ka përgjegjësi të madhe, vetëm në një javë kam dërguar mbi 130 milionë emaila anëtarëve. Që do të thotë se kujdesi duhet të jetë maksimal që gjithçka të jetë korrekte sepse ndikon në tërë imazhin e kompanisë.

Image

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për mërgatën?

Insitucionet duhet ta angazhojnë sa më shumë dhe ta inkuadrojnë mërgatën në Kosovë. E para të mundësohet votimi nëpër ambasadat e Kosovë jashtë. E dyta të ofrojë kushte të volitshme për investime duke përfshirë tatime më të ulëta në fitim, proces të lehtë të regjistrimit të biznesit, ndoshta edhe ndonjë ndihmë tjetër si p.sh. dhënia e tokës në shfrytëzim në formë huaje. E treta të mundësojnë transferimin e njohurive dhe aftësive të tyre duke organizuar konferenca, samite, platforma trajnimi ku profesionistë nga diaspora mund t’i ndajnë njohuritë e fituara jashtë si në teknologji, shëndetësi, arsim apo çfarëdo fushe tjetër. Dhe e katërta, t’i ftojmë të rinjtë të cilët janë rritur në mërgim të vijnë dhe të marrin pjesë në programe të ndryshme që ata të lidhen më shumë me atdheun e prindërve të tyre. Në këtë mënyrë e zgjojmë edhe dashurinë e tyre për vendin dhe i lidhim më tepër me Kosovën.