Storie suksesi

Flutra Osmani

Më mungojnë aspekte të ndryshme të jetesës, sikurse edhe nga vendet e ndryshme ku kam jetuar. Disa prej tyre janë: komuniteti dhe afërsia me njerëz, mungesa e protokollit të tepruar mes njerëzve, sensi i humorit që kanë njerëzit të kalitur nga jeta jo fort e lehtë. Nganjëherë rastisi në ndonjë bimë apo erë që ma kujton fëmijërinë ose ndonjë përvoje loje nëpër lagjet e Prishtinës.

1. Në cilin vit keni mërguar?

Nuk do të thosha se kam mërguar, sepse fillimisht shkova për të studiuar në Gjenevë të Zvicrës në vitin 2003, dhe ky ishte qëllimi i zhvendosjes sime nga Kosova.

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

Kisha shumë për të mësuar dhe për t'u akomoduar me një stil të ri të jetesës, në një vend me rregullim tjetër, ku fliteshin gjuhë tjera të shumta. Kujtimet e para kanë të bëjnë me vëzhgim e mësim të vazhdueshëm, kuptim dhe vlerësim të normave të vendit, të veprimit dhe të sjelljes së qytetarëve në hapësirë publike, të funksionimit të shtetit - duke filluar nga ligjet, detyrimet që duhej përmbushur, pastaj organizimi dhe funksionimi i transportit publik, shkollave, bankave dhe institucioneve tjera.

Duke qenë se për herë të parë ndodhesha në një vend ku njihja pak njerëz, më jepej mundësia që në njëfarë mënyre ta shëtisja këmba-këmbës një qytet të ri dhe ta njihja atë në një dimension të qetësisë së plotë.

Me kohë gjërat që mbesin në kujtese dhe kanë ndikuar në zhvillimin tim janë kuptimi më i thellë i vlerave dhe parimeve si demokracia, të drejtat e njeriut, liria e fjalës, etika e punës, shteti, shërbimi ndaj qytetarit, pjesëmarrja aktive qytetare, etj.

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

Të jetosh në një vend të ri me gjuhë, kulturë e histori tjetër patjetër se duket e vështirë. Por, meqenëse kisha shkuar si studente dhe isha e rrethuar me bashkëmoshatarë që ndanin hallet dhe ambiciet e ngjashme, integrimi në vend nuk ka qenë tejet sfidues. Përkundrazi, ka qenë një mundësi për të parë e mësuar e zgjeruar njohuritë për shoqëri e kultura tjera. Sfidat e mia atëherë lidheshin drejtpërdrejt me suksesin në shkolle dhe më pak me përshtatjen time në shoqëri apo me etiken e tyre të punës. Megjithatë, mendoj se unë nuk isha e ballafaquar me kërkesat, barrën dhe paragjykimet që iu mëveshen shpesh emigrantëve, të cilët duhet bërë integrimin në shoqëri në mënyrë më të shpejtë dhe johumane.

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?

Unë u largova nga Kosova kur isha 18 vjeçe, pra krejt ndërtimi im bazik kishte ndodhur aty, pra në Kosovë. Prandaj, e ndjej dhe e vlerësoj si gur themeltar për të gjithë zhvillimin tim të mëtejmë. Në rrafshin emocional, është vendi për të cilin ndjej dashuri dhe dhembshuri, mbetet kompas i brendshëm dhe motiv për punën që bej. Në aspektin praktik, do të dëshiroja ta konkretizoja punën time në Kosovë, por do të vijë koha e duhur.

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Kosovën?

Kur jetoja në Evropë, e vizitoja shumë shpesh, bile edhe gjatë fundjavave. Tani që jetoj në Kaliforni, udhëtimet janë më të rralla, ndërkohë që këto dy vitet e fundit lëvizjet kanë qenë të kushtëzuara nga pandemia.

6. Sa ka ndryshuar Kosova sipas përshtypjes suaj?

Po patjetër që ka ndryshuar. Mendoj se ka ndodhur një vetëdijesim më i madh i qytetarëve rreth vlerave dhe parimeve që duhet t'i ndërtojë dhe mirëmbajë shoqëria. Sot, qytetarët e Kosovës jetojnë në liri, pa frikë, dhe po ndërtojnë një shtet me themele demokratike në 20 vitet e fundit. Edhe pse ky transformim shumë herë ka çaluar, megjithatë është stërvitje dhe kalitje e vazhdueshme që kërkohet për të formësuar një shoqëri më të drejtë, më humane, më të dinjitetshme dhe më të përparuar. Qytetari duhet të jetojë i angazhuar me pjesëmarrje aktive në proceset shtetformuese. Ka pasur përmirësime në sektorë të ndryshëm, në veçanti më inspirojnë të rinjtë që krijojnë dhe zhvillojnë produkte të ndryshme në fushën e IT-së, falë aftësive dhe punës së tyre.

Sigurisht, ngelin shumë sfida. Qytetarët tanë sot mund të gëzojnë liri më të mëdha por jo edhe atë të lëvizjes dhe pjesëmarrjes në zhvillimet botërore - në universitete, në gara, festivale, edukim, nisma ekonomike. Ata ende janë peng i politikës. Ndjej dhembshuri që të rinjtë e shkëlqyeshëm dhe me aq potencial nuk arrijnë t'i shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat e tyre me bashkëmoshatarët në Evrope dhe më gjerë.

Në rrafshin e brendshëm, do të veçoja sistemin e edukimit dhe ruajtjen e mjedisit si dy sfida që kërkojnë trajtim sa më të shpejtë. Nuk besoj se ka pasur një qasje serioze nga asnjëra prej qeverive të 20 viteve të fundit, që të reformojnë thellësisht sistemin e edukimit; janë fashuar/sanuar disa aspekte në mënyrë siperfaqësore por gjenerata të tëra shkollohen në një sistem që nuk është në hap me kohën. Pastaj edhe mjedisi ka degraduar, dhe kërkohet një ndërgjegjësim më i madh i qytetareve por edhe veprim konkret i institucioneve për ruajtjen e mjedisit sot por edhe nesër, për gjeneratat e ardhshme.

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Kosova në mërgim?

Më mungojnë aspekte të ndryshme të jetesës, sikurse edhe nga vendet e ndryshme ku kam jetuar. Disa prej tyre janë: komuniteti dhe afërsia me njerëz, mungesa e protokollit të tepruar mes njerëzve, sensi i humorit që kanë njerëzit të kalitur nga jeta jo fort e lehtë. Nganjëherë rastisi në ndonjë bimë apo erë që ma kujton fëmijërinë ose ndonjë përvoje loje nëpër lagjet e Prishtinës.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Kosovë?

Edhe kjo pyetje e shtruar kështu më duket e ngjashme me atë të mërgimit. Edhe pse nuk jetoj në Kosovë, asnjëherë nuk jam zmbrapsur nga dëshira dhe synimi i kthimit. Nuk ia kam bërë këtë pyetje vetes asnjëherë në këtë formë.

9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

Punoj si inxhiniere softueri (software engineer) në Silicon Valley, Kaliforni. Vitet e fundit kam punuar në një kompani më të vogël në fushën e fin-tech, e quajtur Earnin. Para kësaj kam punuar disa vite, po ashtu si inxhinere softueri, në kompanine Netflix, me fushëveprim në argëtim. Puna ime kryesisht konsiston në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve të ndryshme (backend) të cilat duhet të sjellin tek klienti shërbimin që ata e kërkojnë nga cilido vend dhe në çfarëdo kohe.

Para përvojës në industri, kam qene në studime të doktoraturës në KTH - universitet në Stockholm të Suedisë. Gjatë kësaj periudhe kam punuar në punime shkencore në fushën e telekomunikimit dhe sistemeve që në anglisht njihen si Distributed Systems.

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për mërgatën?

Mendoj që qeveria dhe insitucionet e Kosovës, krejt energjitë dhe njohuritë e tyre duhet t’i përqendrojnë në zhvillimin e brendshëm ekonomik, në mënyrë që qytetarët e vendit të kenë një jetë më të dinjitetshme dhe të mos detyrohen të emigrojnë për shkaqe ekonomike. Pastaj, mund të identifikojnë e krijojnë mundësi dhe hapësirë ku diaspora mund të investojë dhe të angazhohet. Si prind i një fëmije që rritet jashtë Kosovës, do të doja që të ekzistonin libra, programe, shkolla që ndihmojnë në mësimin e shqipes por edhe të aspekteve tjera kulturore/identitare.