Storie suksesi

Kujtim Dobruna

Në fakt, unë asnjëherë nuk kam reshtur së kthyeri në Kosovë. E gjithë veprimtaria ime private e profesionale, e gjithë karriera ime lidhet me Kosovën.

1. Në cilin vit keni mërguar?

Kam mërguar në vitin 1995, pasi u pranova si student i ekonomisë në Universitetin e Grazit. Pasi u pajisa me vizë studenti në ambasadën austriake, provova të fluturoj nga Shkupi për në Vjenë, por autoritetet maqedonase të asaj kohe nuk më lejuan. Si duket u pengonte që një i ri shqiptar, që nuk lejohej të vazhdonte shkollimin në atdheun e tij, po shkonte në një vend perëndimor për të studiuar. U ktheva në Kosovë dhe pas dy ditësh sigurova një biletë për fluturimin Prishtinë-Beograd-Vjenë. Por, dukej se ishin shitur më shumë bileta se sa që kishte vende të lira për pjesën e parë të fluturimit. Kapiteni, një burrë në të dyzetat, korpulent e me flokë të dendura e të thinjura, më lejoi të fluturoja edhe pse nuk mund të më ofronte karrige. Kështu, pjesën e parë të udhëtimin e bëra duke qëndruar në këmbë. Me të arritur në Beograd u mora në pyetje nga policia kufitare për arsyet e migrimit tim, por pasi që dokumentacioni im ishte i rregullt, u lejova të fluturoj për në Vjenë.

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

Vendlindjen e kisha lënë në një zymtësi të thellë, të harruar nga bota, të robëruar, të poshtëruar e nëpërkëmbur nga një pushtues i tmerrshëm, që nuk zgjidhte mjete për të çuar deri në fund planet e tij. Përndjekja dhe persekutimi ishin në rend dite, përderisa këmbëngulësia e njerëzve tanë për tu çliruar sa vinte e rritej.

Në anën tjetër, me të arritur në Austri, unë pashë një shoqëri të lirë, që çmonte e mbante lartë lirinë e individit, të drejtat e njeriut, parimet demokratike, lirinë e të shprehurit e veprimit. Pashë institucione përgjegjëse ndaj qytetarit e në shërbim të tij, administratë profesionale, institucione arsimore me traditë dhe nam të mirë. Para së gjithash njoftova nga afër një komb të vjetër evropian, i cili jo vetëm se vazhdonte traditën e mbështetjes ndaj ne shqiptarëve, tani duke hapur dyert e universiteteve për ne, por ngërthente në vete aq shumë histori të lavdishme, e cila shpërfaqej çdo ditë e në çdo hap në arsim, kulturë, administratë, shëndetësi, arkitekturë, në sjelljen e qytetarëve dhe përditshmërinë e tyre. Dallimi që shihja në mes të atdheut të robëruar dhe shtëpisë së re, ishte si errësira me dritën. Ky dallim ma shtonte dhembshurinë për atdheun tim në robëri dhe forcoi në mua ndjenjën dhe dëshirën për ta bërë atë të lirë, të drejtë, të dashur e të barabartë për të gjithë qytetarët e tij. Por, ky dallim më bënte edhe pak “xheloz” se si një komb numerikisht po aq i madh sa ne shqiptarët, kishte arritur të krijonte një Perandori, e cila për 600 vjet me radhë dominoi Evropën në rrafshin politik, ushtarak, ekonomik e kulturor.

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

Sfida e parë ishte gjuha. Ta mësosh një gjuhë të huaj në nivelin që të aftëson për të studiuar shkencat shoqërore nuk është e lehtë. Këtë sfidë e tejkalova pas një mësimi intensiv njëvjeçar. Sfida tjetër ishte sigurimi i ekzistencës. Mbështetje financiare e bursa nuk kishim. Familjarët tanë e kishin thuajse të pamundur të na mbështesnin, sepse Serbia i dëboi nga puna. Prandaj, u detyrova të bëjë punë të ndryshme në hotelieri e më vonë si përkthyes. Ishte e vështirë që pas ligjëratave të ndjekura e 7-8 orëve punë, të gjeje energjinë për të mësuar, por nuk kishte alternativë tjetër. Kjo zaten edhe ndikoi në gjendjen time shëndetësore, saqë u sëmura dhe gati sa nuk vdiqa. Pas një rikuperimi njëvjeçar iu ktheva studimeve për t’i ndërprerë ato me fillimin e luftës në Kosovë. Së bashku me kolegët e mi u organizuam në shoqatën tonë studentore për të sensibilizuar publikun austriak për atë se çfarë ndodhte në Kosovë. Publikuam revista, organizuam konferenca, shpërndamë materiale informative, bëmë peticione e protesta, mbështetëm refugjatët, siguruam bursa dhe mblodhëm ndihma për vendin.

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?

Menjëherë pas çlirimit u angazhova në një program të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë për të ndihmuar rihapjen e Universitetit të Prishtinës. Duhej të rinovonim objektet, të gjenim profesorët e t’i ndihmonin të ktheheshin në Kosovë, me qëllim që mësimi i rregullt të rifillonte me 1 tetor 1999. Dhe ia arritëm. Ishte kjo një nga ato fitoret e vogla, pas fitores së madhe, çlirimit, që të jepte ndjenjën e progresit të mirëfilltë. Pastaj, punova për një bankë zhvillimore gjermane, ku përgatita materialet e para promovuese për investitorët e huaj, ndihmova themelimin e mbi 25 kompanive të reja me kapital të huaj dhe sigurova financimin për një mori projektesh tjera të mëdha të sektorit privat nga mjetet e Paktit të Stabilitetit. Këtu u çimentua dëshira ime për të orientuar karrierën time plotësisht drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës.

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Kosovën?

Shumë shpesh. Që nga paslufta, në bashkëpunim me qeveritë e Austrisë e Zvicrës dhe me institucione tjera zhvillimore ndërkombëtare, kam realizuar projekte të shumta me karakter zhvillimor, të lidhura drejtpërsëdrejti me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Mes tjerash, kam këshilluar me qindra investitorë të huaj, kam realizuar mbi 35 projekte investive në Kosovë, kam mobilizuar mbi 100 milionë euro investime, kam ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të institucioneve ekonomike të Kosovës, kam iniciuar dhe çuar përpara formimin e Fondit për Garanci Kreditore të Kosovës, kam mbështetur ndërkombëtarizimin e ekonomisë së Kosovës, kam ndihmuar në anëtarësimin e Kosovës në institucione të ndryshme ekonomike dhe sportive, si për shembull në Forumin Ekonomik të Vjenës apo në Federatën Evropiane të Hendbollit, etj. Aktualisht, përmes një projekti të dizajnuar nga unë e të financuar nga qeveria e Austrisë, po mbështes transformimin digjital të sektorit privat dhe të atij publik në Kosovë. Të gjitha këto aktivitete vazhdoj t’i realizoj përmes Nismës Ekonomike për Kosovën ECIKS, të themeluar bashkë me kolegë të mi në vitin 2003 në Vjenë. Ngase besoj në fuqinë dhe të ardhmen e Kosovës, por edhe nisur nga nevoja për të përçuar besim tek investitorët, kam investuar edhe personalisht në projekte të ndryshme, që gjenerojnë punësim e aktivitet ekonomik. Si rrjedhojë e gjithë këtij angazhimi, në Kosovë kaloj më shumë se gjashtë muaj në vit.

6. Sa ka ndryshuar Kosova sipas përshtypjes suaj?

Kur e krahasojmë gjendjen e sotme me atë të vitit 1995, që e përshkrova në fillim, ndryshimi është marramendës. Kosova është sot e lirë, e pavarur, një shoqëri e hapur me mbështetje të madhe nga bota perëndimore, që ka mësuar mirë mekanizmat e demokracisë, me një qytetari të përgjegjshme, e cila dita-ditës po e njeh fuqinë e votës dhe ka filluar të mbajë përgjegjës pushtetarët dhe me një rini të shkëlqyeshme e me shumë potencial. Sigurisht, që sfidat janë prezente, si nga aspekti politik, ashtu edhe nga ai ekonomik e social. Kosovës i duhet të mundësojë një shpërthim të inovacionit e kreativitetit, që krijon zhvillim ekonomik e punësim të qëndrueshëm, jo përmes migrimit apo rritjes së sektorit publik, por përmes zhvillimit të sektorit privat, zhbllokimit të resurseve natyrore e tërheqjes së investimeve të huaja direkte. Liria, puna, prona private, zhvillimi ekonomik, mirëqenia janë esenciale për dinjitetin njerëzor.

Image

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Kosova në mërgim?

Më mungojnë njerëzit, humori i tyre, afërsia, që nganjëherë shkon deri në cenim elegant por qëllimmirë të privatësisë (“sa e ke rrogën?”, “kur po e bën edhe një fëmijë?”, “kur ke ardhë e sa do rrishë?”, “a ma mirë këtu, a atje?”), e deri tek kreativiteti e fleksibiliteti individual. Ndjej mungesë edhe për shëtitë në natyrën e bukur të Kosovës, por edhe të Shqipërisë.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Kosovë?

Në fakt, unë asnjëherë nuk kam reshtur së kthyeri në Kosovë. E gjithë veprimtaria ime private e profesionale, e gjithë karriera ime lidhet me Kosovën. Kjo ngase e ndjej përherë si obligim moral të jap kontributin tim për atdheun, për të cilin, bashkëvendës, miq e familjarë të mi, nuk kanë hezituar ta japin edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre. Ne jemi një gjeneratë fatlume, që kemi përjetuar çlirimin dhe shtetin e Kosovës, për të cilin kanë luftuar gjenerata të tëra. Prandaj, e kemi për obligim moral e patriotik të kontribuojmë në zhvillimin e fuqizimin e tij, që historia të mos na përsëritet.

9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

Me profesion jam ekonomist, i specializuar në menaxhimin strategjik (master). Së fundmi kam bërë shkollime shtesë profesionale në fushën e digjitalizimit. Jam ndërmarrës me përvojë të gjatë në konsulencë menaxheriale, zhvillim ekonomik, ngritje të kapaciteteve të institucioneve ekonomike, promovim dhe gjenerim të investimeve të huaja dhe veproj edhe si konsulent i pavarur. Në rrafshin gjeografik, veprimtaria ime fokusohet në rajonin gjermanofolës dhe atë shqipfolës. Klientët e mi janë institucione publike zhvillimore, për shembull në Austri, Zvicër, ShBA dhe BE, si dhe ndërmarrje të ndryshme në rajonet e sipërpërmendura. Kohë pas kohe, kur rrethanat kohore lejojnë, merrem edhe me publicistikë, veçanërisht me shkrime që trajtojnë tema zhvillimore dhe ekonomike.

Image

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për mërgatën?

Së pari, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për ndaljen, apo të paktën, ngadalësimin e migrimit. Trendet aktuale tregojnë se dëshira për migrim është e madhe. Nga ikja e trurit dhe fuqisë punëtore po preken para së gjithash sektorët si shëndetësia, hoteleria, bujqësia e ndërtimi. Një Kosovë e zbrazur nga pjesa më vitale e saj nuk mund të zhvillohet ekonomikisht, as të bëhet pjesë e zinxhirit ndërkombëtar të krijimit të vlerave prodhuese e shërbyese.

Ndërsa, sa i përket diasporës, mendoj se së pari duhet të fuqizohet mësimi klasor në gjuhën shqipe. Nuk ka dyshim se një pjesë e gjeneratës së re të diasporës i është nënshtruar pa dashje një procesi dogmatik e shkombëtarizues të udhëhequr nga shoqata fetare me prapavijë mjaft të rrezikshme. E çuditshme dhe e pashpjegueshme është toleranca e vendeve nikoqire ndaj këtyre shoqatave që predikojnë jotolerancën. Efekti afatgjatë i papërgjegjësisë së institucioneve tona ndaj diasporës do të jetë krijimi i një hendeku në rritje në mes saj dhe vendeve të origjinës. Si hap i dytë, duhet të lehtësohet procesi i investimeve të diasporës përmes mekanizmave dhe instrumenteve të ndryshme financiare.

Siç e kam thënë në një shkrim të mëhershëm, diaspora ishte dje shtyllë e rezistencës paqësore, e asaj të armatosur dhe e rindërtimit e rigjallërimit të burimeve të zhvillimit. Sot, ajo me shembujt e saj të suksesit në muzikë e sport dhe jo vetëm, i kontribuon një frymëzimi të ri zhvillimor dhe rivendosjes së një kompasi moral drejt vlerave e kulturës perëndimore. Gjenerata e sotme është ende e lidhur fort me atdheun. Për t’u shërbyer me fjalët e shkrimtarit të mirënjohur çek, Milan Kundera, ajo ende e ndien se po ecën „në një hapësirë boshe përmbi tokë pa atë rrjetë mbrojtëse që ia ndeh çdo qenieje njerëzore vendi i tij i vërtetë, ku ka familjen, kolegët, miqtë, ku e kuptojnë pa mund në gjuhën që e flet qysh fëmijë.“ Por, gjenerata e së nesërmes nuk do të lëvizë më nëpër këtë “hapësirë boshe“. Ajo ka lëshuar rrënjë në vendet ku jeton, aty ka familjen, miqtë, kolegët dhe aty e kuptojnë në gjuhën që flet qysh fëmijë. Ajo nuk do ta ketë doemos lidhjen e fortë emocionale me vendlindjen e prindërve të vet. Ajo sot ka përballë në njërën anë sfidat e botës së zhvilluar, ku hyjnë edhe përzgjedhja e shkollimit dhe profesionit të duhur, lidhja me botën për të qenë pjesë e vlefshme e zinxhirëve të vlerës në rrafshin global dhe sigurimi i të ardhmes në një periudhë tejet volatile, ku revolucioni digjital dhe pandemia kanë bërë që konstantja e vetme të jetë ndryshimi.