Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zyrtarët kërkojnë paqe në hapje të Lojërave Paralimpike

Sportistët ukrainas morën pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike Dimërore 2022, ndërsa zyrtarët kanë kërkuar paqe.

Delegacioni prej 54 personave ka arritur të udhëtojë në Pekin pavarësisht pushtimit të Rusisë, që nisi më 24 shkurt.

Asnjë sportist rus apo bjellorus nuk do të garojë pasi janë dënuar nga Komiteti Paralimpik Ndërkombëtar.

“Bota duhet të jetë vend për bashkim, jo për ndarje”, ka thënë Andrew Parsons, president i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar.

“Jam i tmerruar nga ajo që po ndodh në botë për momentin. Shekulli XXI është kohë për dialog dhe diplomaci, jo luftë dhe urrejtje. Armëpushimi Olimpik – për paqe gjatë Lojërave Olimpike dhe Paralimpike, është rezolutë e Kombeve të Bashkuara. Duhet të respektohet, jo të shkelet. Nëpërmjet sportit, paralimpistët do të shfaqin më të mirën e njerëzimit dhe do të nxjerrin në pah vlerat për një botë në paqe. Paralimpistët e dinë që një kundërshtar nuk duhet të jetë armik dhe të bashkuar mund të arrijmë shumë më shumë”, ka theksuar presidenti Parsons.

Lojërat Paralimpike kanë nisur zyrtarisht të premten dhe do të zgjasin deri më 13 mars.

Edhe Rusët dhe bjellorusët paraqiten si sportistë neutralë në Lojërat Paralimpike Sport Rusët dhe bjellorusët paraqiten si sportistë neutralë në Lojërat Paralimpike

Në këto Lojëra Paralimpike marrin pjesë më shumë se 600 sportistë nga 46 delegacione, ndërsa do të garojnë për 78 medalje në gjashtë sporte, skijim alpin, skijim “cross-country”, biathlon, hokej “Para-ice”, snoubord dhe curling në karrocë.

Azerbejxhani, Izraeli dhe Puerto Rico janë debutues në këto Lojëra Paralimpike.

Lihtenshtajni kthehet për herën e parë që prej vitit 1994, ndërsa Estonia dhe Letonia kthehen për herën e parë që prej vitit 2002 dhe 2006 respektivisht.