Pas problemeve të shumta që ka pasur ditëve të fundit Feronikeli, tashmë gjërat kanë filluar të normalizohen, pasi është konfirmuar edhe trajneri i ri i klubit nga Drenasi.
Është Ismet Munishi që do ta drejtojë skuadrën e Feronikelit për një vit e gjysmë.
Këtë për Koha.net e ka konfirmuar vet trajneri gjilanas, i cili ka deklaruar se synon ta fitojë Superligën e Kosovës.
“Po, kam bërë marrëveshje për një vit e gjysmë, dhe synoj titullin kampion”, ka deklaruar Munishi, i cili ka konfirmuar se në ditët në vijim do të bëhet prezantimi i tij si trajner i Feronikelit.
Munishi, që deri tani kishte menaxhuar Vëllaznimin, do ta zëvendësojë Zekirija Ramadanin.
Feronikeli ka mbyllur sezonin vjeshtor në vendin e katërt me 28 pikë, gjashtë më pak se lideri Llapi.