Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e luan ndaj Zvicrës ndeshjen e parë të raundit të tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Të mërkurën, prej orës 20:45, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Kosova e Zvicra nisin garën e Grupit H, ku bën pjesë edhe Danimarka. Vendi i parë në grup siguron avancimin në kualifikimet për “Eurobasket 2025”.
Në short Zvicra ishte e fundit në vazon e parë, Danimarka e para në vazon e dytë dhe Kosova e para në vazon e tretë. Në bazë të vendosjes në vazo, përkatësisht ranglistës, Zvicra është favorite. Por, Kosova synon fitore për të shpresuar ta sigurojë kalimin në kualifikimet e rregullta. Fitoren e synon edhe Zvicra.
FIBA nuk e ka llogaritur shumë Kosovën në prezantimin që ia ka bërë Grupit H.
“Grupi H ka dy përfaqësuese – Danimarkën dhe Zvicrën – që do të dëshironin të bënin hapin e ardhshëm në zhvillimin e tyre, të siguronin kualifikimet për Eurobasket dhe t’u japin talenteve të tyre shansin të luajnë në nivel më të lartë. Danimarka ka ndoshta emrin më të madh në raundin e tretë me superyllin Iffe Lundberg”, ka shkruar FIBA.
“Zvicra duhet të shikojë në vitin 1955 për pjesëmarrjen e fundit në Eurobasket. Zvicra zuri vendin e dytë në raundin e parë të parakualifikimeve me bilanc 4:2. Humbjet erdhën nga Austria dhe Qiproja. Zvicra ishte e pafat të kishte Poloninë dhe Kroacinë në raundin e dytë të parakualifikimeve dhe mori vetëm dy fitore ndaj Austrisë”, ka shkruar FIBA.
Zvicra është paraqitur edhe në Lojërat Olimpike, por si në Eurobasket shumë dekada më parë.
Në dekadat e fundit nuk është se ka shfaqur ndonjë nivel të lartë. Kosova nuk vlerësohet pa gjasa ndaj Zvicrës.
Zvicra nuk ka ndonjë lojtar në nivelin e lartë evropian, ndërsa për selektor e ka grekun Ilias Papatheodorou.
Në raundin e parë të parakualifikimeve Kosova mbeti e fundit në grupin e fortë me Danimarkën dhe Norvegjinë. Ndërkohë Zvicra ishte pas Austrisë, por para Irlandës dhe Qipros. Avancoi në raundin e dytë të parakualifikimeve, për dallim nga Kosova që u bart në raundin e tretë. Pra, Zvicra së fundi ka luajtur më shumë ndeshje kualifikuese.
Në raundin e dytë të parakualifikimeve Zvicra mbeti prapa Polonisë e Kroacisë. Ishte më lartë se Austria. Prej këtij grupi të fortë Polonia avancoi në kualifikime, ndërsa Kroacia, Zvicra e Austria u zhvendosën në raundin e tretë të parakualifikimeve.
Në shkurt të këtij viti Zvicra i kishte ndeshjet e fundit. Kishte humbur 64:56 nga Zvicra e më pas 80:70 nga Polonia. Të dyja ndeshjet i kishte luajtur në shtëpi. Gjysma e lojtarëve që ishin paraqitur në ndeshjet e muajit shkurt nuk janë në ekip për ndeshjet e kësaj vere.
Pritet ndeshje e fortë mes Kosovës dhe Zvicrës, ndërsa dy përfaqësueset synojnë hapin e parë të madh drejt suksesit në grup, ku megjithatë Danimarka duket favoritja kryesore.