Skitari nga Zvicra, Beat Feuz me një fund ka shënuar një fitore të madhe që i mungon në koleksionin e tij të stërmbushur me suksese në garat e lëshimit.
Feuz të hënën e ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”. Zvicerani e zotëroi një shteg të ndërlikuar për të përfunduar i pari.
Ai garën e përfundoi me kohë prej 1 minute e 42.68 sekondave duke lënë pas vetes francezin Johan Clarey (1:42.79) dhe austriakun Matthias Mayer (1:42.85).
Clarey e fitoi medaljen e argjendtë ndërsa Mayer të bronztën. Zvicerani Feuz fitoi një medalje argjendi në Super-G dhe një bronzi në lëshim në LOD “PyeongChang 2018” dhe është katër herë kampioni në fuqi i Kupës së Botës në lëshim.
Ai gjithashtu fitoi titullin e botës në lëshim në vitin 2017 dhe mban rekordin e karrierës prej 45 podiumesh në Kupën e Botës në disiplinën më të shpejtë të këtij sporti.