Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zidane i ofron debutimin edhe djalit të dytë

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, i ka ofruar debutimin në La Liga të birit të tij Luca, duke e aktivizuar titullar të shtunën mbrëma në barazimin 2:2 me Villarrealin, në ndeshjen e fundit në kampionatin spanjoll të Realit këtë stinor. Portieri është bërë anëtari i tretë i familjes Zidane që ka luajtur për gjigantin spanjoll.

Trajneri Zidane ishte pritur të pushonte skuadrën e parë në ndeshjen e fundit të stinorit, para finales së Ligës së Kampionëve të shtunën e ardhshme kundër Liverpoolit, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Mirëpo kundër Villarrealit, Zidane aktivizoi skuadrën më të fortë, me përjashtim të portierit, ku e aktivizoi të birin e tij 20-vjeçar, Lucan.

Luca, djali i dytë më i vjetër nga katër sa i ka Zidane, pati një pjesë të parë të qetë, ndërsa Reali kaloi 2:0 në epërsi. Në pjesën e dytë ai bëri një pritje të bukur pas gjuajtjes së lirë të Nicola Sansones.

Mirëpo shpresat e tij për të mbajtur portën e paprekur u shuan kur Roger Martinez realizoi me një gjuajtje të fuqishme, me ç'rast Luca nuk pati shumë se çfarë të bënte. Por papërvoja e tij u pa kur e gjykoi keq një top të gjatë që shkoi në drejtim të Samuel Castillejos dhe sulmuesi e dribloi atë dhe barazoi shifrat.

“Ai ka pritur gjatë të luajë dhe është si çdo lojtar tjetër në skuadër. Ai u paraqit mirë dhe jam i lumtur që ka debutuar. Nuk është e vështirë për mua të ndaj rolin e trajnerit me atë të babait. Jam i lumtur për të si baba dhe si trajner, dhe do të shihemi më vonë me të në shtëpi”, ka deklaruar trajneri Zidane... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm