Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zhegrovës nuk i është dashur shumë për të marrë vëmendjen në Francë

Ai provokon, godet, nxit përçarje në mbrojtjet kundërshtare. Prej disa javësh, Edon Zhegrova ka sjellë çmendurinë e tij në sulmin e Lillet.

Para udhëtimit për në Troyes këtë të diel (13:00), në një intervistë për faqen zyrtare të Lillet, Zhegrova, që iu bashkua klubit në janar, insistoi se tashmë është përshtatur në mënyrë të përkryer me mjedisin e ri. Zhegrova ka thënë se adaptimi i tij te Lille mund të konsiderohet si tejet i suksesshëm deri më tani.

“Ndihem shumë mirë. Ne stërvitemi fort çdo ditë me ekipin, të gjithë jemi shumë të fokusuar në fundin e sezonit dhe ndeshjen tjetër. Të them të drejtën, përshtatja ime te Lille ishte mjaft e shpejtë. Që nga dita ime e parë këtu. Unë pata një pritje shumë të ngrohtë nga grupi, qoftë stafi, lojtarët apo edhe klubi në tërësi”, ka thënë Zhegrova. “Pra, është e vërtetë, në fillim zbulova një futboll të ri, një taktikë të re. Nuk ishte aq e lehtë, por gjithçka shkoi shumë shpejt dhe unë përparova dita-ditës. Tani mund të them se jam përshtatur mirë”.

Zhegrova e ka quajtur një hap tejet të rëndësishëm në karrierë transferimin te Lille nga Baseli. Lille, që është kampion në fuqi i Francës, pagoi shtatë milionë euro dëmshpërblim për të siguruar shërbimet e 23-vjeçarit. Sipas tij, edhe liga franceze është më e mirë sesa ajo zvicerane dhe ishte ajo që e donte.

“Unë erdha nga Zvicra. Është një kampionat i mirë, por jo në të njëjtin nivel me Ligue 1. Duke ardhur këtu pata ambicien t'i bëj gjërat një hap më tej. Kur je i mirë në një kampionat, domosdoshmërisht dëshiron të shohësh nivelin më të lartë”, pranoi Zhegrova. “Futbolli francez është më fizik, më taktik. Lojtarët, mbrojtësit janë më të mirë, ndaj logjikisht kampionati është në një nivel më të lartë. Kjo është ajo që unë kërkoja. Është një skenë e mirë dhe klubi i duhur për mua. Ndihem mirë”.

Edhe Zhegrova synon më shumë gola me Lillen Sport Zhegrova synon më shumë gola me Lillen

Reprezentuesi kosovar gjithnjë e më shumë po fiton hapësirë te Lille. Ai në tri ndeshjet e fundit ka qenë titullar dhe ka thënë se në të gjitha është munduar të japë më të mirën për ta ndihmuar ekipin që të shënojë fitore.

“Trajneri vendos se kur dhe ku duhet të luaj dhe në çfarë formacioni. Ai më thotë se çfarë të bëj në një ndeshje, e dëgjoj dhe përpiqem t'i përgjigjem sa më mirë duke treguar cilësitë e mia kur më jep mundësinë. Në përgjithësi jam i kënaqur me fillimin tim. Unë luaj gjithnjë e më shumë. Madje kam qenë titullar për tri ndeshje rresht. Punoj shumë çdo ditë, mundohem të jap maksimumin sa më shpejt që të jem në fushë”, u shpreh Zhegrova.

Ai ka folur edhe për stilin e lojës për të cilin thotë se e ka pasur qysh nga fëmijëria. Zhegrova thotë se është një driblues i lindur dhe mënyra e lojës së tij e bën të ndihet mirë në fushë.

“Që i ri kam pasur të njëjtin stil loje, i cili përfshin goditjen, lojën një me një, përpjekjen për të thyer mbrojtjen kundërshtare nga krahu, por edhe duke shënuar apo dhënë asistime si një organizator. Këto janë cilësi në të cilat mund të mbështetesha që në fëmijëri. Kam dribluar gjithmonë, është e natyrshme, vjen nga Zoti dhe i jam mirënjohës për këtë”, tha Zhegrova. “Është mënyra ime e lojës dhe më jep shumë kënaqësi në fushë. Por kjo nuk më pengon të punoj shumë çdo ditë në gjëra të tjera, sidomos në aspektin fizik, për të fituar fuqi, por edhe në pjesën taktike për të përmirësuar lojën time”.

Zhegrova ka zbuluar se flet shumë me lojtarët më me përvojë të ekipit, ndërsa ka shtuar se ndihet krenar që luan përkrah mesfushorit të Portugalisë, Renato Sanches.

“Përpiqem të flas me partnerët e mi më me përvojë, t'i dëgjoj. Unë kam lidhje të mira me ta. Ata përpiqen të më ndihmojnë dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Po mendoj në veçanti për Jose Fonten, Benjamin Andren, Burak Yilmazin apo Renato Sanchesin. Ky i fundit është për mua një top-lojtar. Jam shumë i lumtur që kam mundësinë të luaj përkrah tij, të mund ta vëzhgoj atë në fushë”, pranoi Zhegrova. “Goli im i parë kundër Clermontit ishte paksa me fat. Por prapë isha shumë i lumtur. Unë kisha hyrë në lojë pak minuta më parë dhe isha vendimtar. Ishte si instinkt, shkova drejt portës dhe godita me qëllimin për të shënuar. Goli im i dytë në Angers ishte i rëndësishëm. Isha në bankinë, po humbnim 1:0 dhe hyra me synimin për të ndihmuar skuadrën dhe të bëjë diferencën. Në çdo rast ishte misioni që më kishte dhënë trajneri. Pashë një hapësirë ​​të lirë, hyra brenda dhe gjuajta shumë fort drejt këndit të portës”.

Deri në fund të këtij edicioni në Francë kanë mbetur edhe katër xhiro, ndërsa Zhegrova shpreson që Lille ta sigurojë një vend në garat evropiane. Aktualisht Lille zë vendin e nëntë në Ligue 1 me 51 pikë të tubuara. Zhegrova beson se Lille do t’i fitojë këto katër ndeshjet e fundit.

Edhe Zhegrova mund të debutojë kundër Marseillet Sport Zhegrova mund të debutojë kundër Marseillet

“Mendoj se kemi talentin dhe cilësitë për të fituar katër ndeshjet që kanë mbetur këtë sezon. E di që do të jetë e vështirë, por ne duhet të luajmë për të fituar, për të përfunduar sa më lart në renditje. Si individ, ambicia ime është të jap më të mirën nga vetja. Shpresoj se do të kem mundësinë të ndihmoj skuadrën. Gjëja më e rëndësishme është që skuadra të fitojë. Më pas, nëse mund të shënoj, është edhe më mirë, sigurisht”, pranoi Zhegrova, që foli edhe për lidhjen që e ka me tifozët. “Ndonjëherë më ndodh të më njohin në rrugë apo në dyqane. Ata janë gjithmonë shumë të sjellshëm me mua, më kërkojnë një foto, një fanellë, flasim. Lidhja jonë është e mirë. Është shumë e rëndësishme për mua. Mendoj se futbolli pa tifozë nuk ka të njëjtën vlerë dhe për këtë arsye është e rëndësishme që marrëdhëniet tona të jenë të mira”.

Zhegrova për fund ka thënë se po ndihet mirë në qytetin e Lillet. Tashmë është vendosur në një shtëpi pasi fillimisht jetonte në një hotel në qendër të qytetit. Ai ka kontratë me Lillen deri në vitin 2026.