Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, me një mesazh të drejtpërdrejtë në rrjete sociale, ka thumbuar futbollistët që kanë lënë përfaqësuesen e Kosovës në futboll për të luajtur për të tjera kombëtare.
Së fundmi debati për fanellën e Kosovës bëri bujë pasi disa futbollistë që ishin paraqitur për Kosovën U21 vendosën të lënë përfaqësuesen për t’u paraqitur për Shqipërinë. Në të kaluarën ka pasur raste që kanë lënë Kosovën edhe për kombëtare tjera si Zvicra, Suedia e Gjermania.
“Vetëm nëse e doni dhe ndjeni këtë shtet ju mund të luani për Kosovën. Jam 1000 herë më i mirë e madje s’mund të krahasohem me ata që nuk e pranojnë Kosovën dhe më ishin dashur vetëm 10 sekonda për ta pranuar shtetin tim sepse zemra ime rrah aty. Andaj nëse ju nuk e doni këtë shtet, ju s’jeni pjesë e tij, kjo vlen për të gjithë ju që mendoni se jeni dikushi”, ka shkruar 23-vjeçari i Lillet në Instagram duke publikuar një fotografi me flamurin shtetëror të Kosovës.
Sulmuesi i krahut ka 28 paraqitje për Kosovën. Ka shënuar tre gola e ka asistuar në dy raste.
