Sulmuesi i krahut, Edon Zhegrova, gradualisht po i bën për vete tifozët e Lillet, me paraqitjet e mira në ndeshjet e fundit.
Në fakt, 23-vjeçari tashmë është shndërruar në një ndër lojtarët më të pëlqyer nga tifozët e ekipit nga Ligue 1. Dhe kjo u dëshmua në ndeshjen e fundit të Lillet, të cilën e fitoi 2:0 në shtëpi ndaj Strasbourgut. Në këtë ndeshje, Zhegrova ishte titullar dhe luajti deri në minutën e 73-të, ndërsa pati ndikim të madh në të dy golat e shënuar nga sulmuesi Jonathan David.
Reprezentuesi i Kosovës e siguroi penalltinë për Lillen në minutën e 23-të, me anë të së cilës skuadra zhbllokoi rezultatin me golin e shënuar nga kanadezi David. Ndërkohë, pesë minuta më vonë, Zhegrova asistoi në golin e dytë të realizuar nga David, për t’i ngritur tifozët e Lillet në këmbë.
Pas zëvendësimit, tifozët e Lillet kanë brohoritur emrin e Zhegrovës, i cili po vazhdon me paraqitje të mira kohët e fundit.
Te Lille po shpresojnë që sulmuesi i krahut të jetë në këtë formë deri në fund të sezonit për ta ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave.
“Në pjesën e parë, Edoni tregoi klasin e tij duke e siguruar penalltinë, e cila lejoi Jonathan Davidin të zhbllokonte ndeshjen. Zhegrova e detyroi Lucas Perrinin të ndërhynte ndaj tij brenda në zonë. Edhe në pjesën e dytë, Zhegrova vazhdoi me paraqitje të mirë dhe pati disa pasime perfekte, të cilat nuk i shfrytëzoi David. Në fund ai u largua me duartrokitje të forta nga një audiencë që e brohoriti emrin e tij kur u zëvendësua nga Andre Gomes në minutën e 73-të”, ka shkruar uebfaqja zyrtare e Lillet.
“Edhe në këtë ndeshje, numri 23 shkëlqeu në fushë me aftësinë e tij. Ai vazhdimisht i shkaktoi panik kundërshtarit në krahun e djathtë duke u shndërruar në element kryesor të ekipit”.
Zhegrova këtë vit ka treguar paraqitje pozitive për t’u shndërruar në titullar të padiskutueshëm të trajnerit Paulo Fonseca. Zhegrova ka shënuar një gol dhe ka bërë tri asistime në 13 paraqitje këtë sezon në kampionatin francez. Një gol, ai e ka edhe në kuadër të Kupës së Francës.
“Klubi e ka njohur lojtarin kosovar si mjaft të talentuar teknikisht dhe të aftë për t’i dhënë intensitet lojës kur e ka topin në këmbë. Mirëpo, në ndeshjet e fundit, Edon Zhegrova duket se ka arritur një nivel të ri në ecurinë e tij”, ka shkruar sajti i Lillet.
Zhegrova në janar të vitit të shkuar iu bashkua Lillet nga Baseli dhe me ekipin nga Franca ka kontratë deri në vitin 2026. Ai gjithashtu ka 28 ndeshje dhe tre gola të shënuar me fanellën e Kosovës.