As Kylian Mbappe, as Vinicius Junior dhe as Rafael Leao.
Dribluesi më i mirë në Evropë për lojtarët me moshë mbi 23-vjeçare është Edon Zhegrova, futbollisti i Lillet. Kështu ka shkruar të premten mediumi i madh spanjoll “Marca”.
Këto janë të dhëna nga analizat dhe statistikat që u bëhen lojtarëve nga mediumi i specializuar, “CIES Football Observatory”. Statistikat janë nxjerrë për lojtarët që kanë luajtur të paktën 450 minuta në pesë ligat e mëdha evropiane.
Sulmuesi i krahut me sukses ka kompletuar 27 nga 44 driblime që i ka tentuar në elitën e futbollit francez. Kjo nënkupton 61.36 për qind. Futbollisti i Kosovës ka shkëlqyer në vikendin e kaluar në fitoren 2:0 ndaj Monacos. Golat e shënuar nga Bafode Diakite dhe Ivan Cavaleiro erdhën nga asistimet e përkryera të Zhegrovës.
Ai luajti aq mirë saqë edhe Adi Huetter, trajneri i Monacos, u dorëzua para ish-lojtarit të Baselit, që u transferua te Lille në janar të vitit 2022 për 7 milionë euro.
Edhe
Zhegrova, “më i miri” apo “ndër më të mirët”?
“Zhegrova na bëri shumë probleme dhe e ndryshoi lojën. Në 15 minutat para pushimit, ai ishte fantastik. Ai ka të majtë shumë të mirë. Driblon shumë mirë dhe ka veprime të bukura teknike. Edhe pse e di se çfarë ai do të bëjë, është shumë vështirë për t’u përcjellë”, ka theksuar Huetter.
Zhegrova, i cili ka shënuar dy gola dhe ka katër asistime në 14 ndeshje këtë edicion, u lind në Gjermani, por është zhvilluar në futbollin e Kosovës.
“Kam nisur të luaj në Prishtinë kur isha 5-6-vjeçar. Njerëzit i thoshin babait tim: Shikoje birin tënd, sepse është i talentuar. E rëndësishme është që kur të shkosh te një skuadër të gjesh një trajner që të jep instruksione gjithë kohën”, ka thënë Zhegrova në një intervistë për “La Vois du Nord”.
23-shi i Lillet, admirues i Lionel Messit, ishte zgjedhur lojtari më i mirë i një turneu që skuadra e Milanit e kishte organizuar në Kosovë, por Ligue 1 nuk ishte e lehtë prej fillimit për të.
“Luaj njësoj si titullar, ashtu edhe si zëvendësues. Është e vërtetë që kur vjen nga banka rezervë je më i freskët dhe mund t’i zësh kundërshtarët më të lodhur”, është shprehur Zhegrova.
Edhe
Zhegrova, dribluesi i çmendur i Lillet
Zhegrova është “rritur” në mungesë të Yusuf Yazicit dhe Adam Ounas. Trajneri Paulo Fonseca e kishte zëvendësuar atë gjatë pushimit në Ligën e Konferencës, në fitoren ndaj Olimpija Lubjanës. Dhe ai zëvendësim ka pasur efekt.
“Ai më shqetëson nganjëherë. Sezoni nuk ka filluar mirë për të, por në katër ndeshjet e fundit është rritur shumë. Mendoj se ai tani është më vendimtar dhe në fazën defensive është përmirësuar shumë”, kishte thënë Fonseca.
Lëvdata për Zhegrovën ka dhënë edhe portieri i skuadrës franceze, Lucas Chevalier.
“Edoni gjithmonë ka qenë lojtar shumë i talentuar. Ai është përmirësuar më shumë në vendimet që i merr dhe në çdo ditë që kalon në stërvitje e shoh më të qetë”, ka thënë portieri Chevalier.
Se kundërshtarët i kalon me lehtësi të madhe, e ka treguar edhe Remy Cabella, një prej bashkëlojtarëve të Zhegrovës në fazën e sulmit.
Edhe
Zhegrova merr lëvdata për paraqitjen magjike ndaj Slavias së Pragës
“Ai e ka aftësinë për t’i dribluar kundërshtarët me lehtësi shumë të madhe”, ka thënë Cabella, që e përkrah Zhegrovën vazhdimisht.
Driblimi është “trashëgimia” e tij në Ligue 1, por ai tashmë po i kalon të gjithë kufijtë, ka përfunduar “Marca” në shkrimin e gjatë për futbollistin e Kosovës.