Sport

Zgjedhjet në federata sportive mbahen më 2020-ën, përfshihen edhe FFK-ja dhe FBK-ja

Foto: Koha

Federatat sportive të Kosovës në vitin 2020 do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor.

Komiteti Olimpik i Kosovës nëpërmjet një përgjigje dhënë “Sportit në KTV”, ka njoftuar se zgjedhjet duhet të mbahen edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe atë të Basketbollit.

“Licencimi i Federatës është vendosur të bëhet nga MKRS-ja çdo katër vjet, me cikël olimpik. Çdo katër vjet federatat i mbajnë zgjedhjet dhe iu vazhdohen licencat pas përfundimit të ciklit olimpik dhe kjo lidhet edhe me vendimin e Asamblesë së Komitetit Olimpik të Kosovës, ku është vendosur që zgjedhjet në federata të mbahen maksimumi gjashtë muaj pas përfundimit të ciklit olimpik. Një gjë e tillë është respektuar edhe në përfundim të ciklit olimpik 2012-2016, ku të gjitha federatat i janë nënshtruar procesit zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e KOK-ut.

Në fakt, në dy federatat më të mëdha në vend, futbollit dhe basketbollit gjatë vitit të kaluar janë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në vend të kryetarit tashmë të ndjerë të FFK-së Fadil Vokrri, u zgjodh Agim Ademi, derisa pozitën e lëshuar nga Erolld Belegu e zuri Arben Fetahu.

Pas federatave, zgjedhje do të mbahen edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës.