Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), ka zgjedhur të enjten trajnerët e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës në të dy konkurrencat. Hendbollistët e rinj do t’i drejtojnë dy prej emrave më të mëdhenj të hendbollit kosovar.
Verim Zherka është zgjedhur trajner i Përfaqësueses U18, ndërsa drejtimi i Përfaqësueses U20 i është besuar Arben Muqollit.
Te hendbollistet, saktësisht Përfaqësuesen U17 do ta drejtojë Mitat Ferati. Ndërkohë, Granit Sahiti do të jetë në krye të Përfaqësueses U19.
“Ferati është trajner në Zvicër, ku punon kryesisht me grupmosha të reja. Ndërkohë Sahiti punon te Ferizaj dhe po ashtu shquhet për punë me të reja. Trajnerët menjëherë do të nisin angazhimin për aktivitetet e radhës që organizohen nga EHF-ja dhe IHF-ja. Mandati i tyre është dyvjeçar me mundësi vazhdimi edhe për dy të tjera, varësisht nga rezultatet dhe puna e bërë”, thuhet në njoftimin e FHK-së.