Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zeneli do t’i bashkohet Adana Demirsporit

Reprezentuesi Kosovës, Arbër Zeneli do të largohet nga Franca për ta vazhduar karrierën në Superligën e Turqisë.

Mediumet turke kanë raportuar të premten se Zeneli do të jetë pjesë e skuadrës Adana Demirspor.

Thuhet se të gjitha palët kanë arritur marrëveshjen dhe Zeneli te skuadra turke do të prezantohet gjatë kësaj jave.

Ai do t’i bashkohet Adana Demirsporit nga Reimsi dhe me ekipin turk do të firmosë kontratë trevjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për vitin e katërt.

29-vjeçari, në janar të vitit 2019 iu bashkua Reimsit, por këtë edicion nuk bën pjesë në planet e klubit.

Ai nuk ka qenë fare i përfshirë në ekip për dy xhirot e para. Zeneli ka kontratë me Reimsin në vitin 2025, ndërsa ka luajtur edhe për Elfsborgun e Heerenveenin.

Adana Demirspori edicionin e shkuar përfundoi në pozitën e katërt në Superligën e Turqisë dhe këtë edicion ka arritur në plejofin e Ligës së Konferencës.

Ndeshjen e parë, Adana Demirspori e humbi 2:1 në udhëtim nga Genku i Belgjikës. Në Superligën e Turqisë, Adana ka tubuar katër pikë pas dy xhirove të zhvilluara.

Artikuj të ngjashëm