Golden Eagle Ylli nuk ka gabuar në ndeshjen e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ylli të mërkurën mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, mposhti skuadrën gjakovare, Vëllaznimin, me rezultatin 77:64. Ylli që nga fillimi i ndeshjes ishte më i mirë duke i fituar dy çerekët e parë, për të shkuar në pushim mes pjesëve me epërsinë e dhjetë pikëve, 38:28.
Çerekun e parë e fitoi 18:14, kurse të dytin 20:14. Periudha e tretë u takoi mysafirëve që fituan 23:21. Por, vendësit e ruajtën epërsinë në periudhën e fundit dhe në fund fituan me 13-të pikë epërsi. Ishte fitorja e pestë rresht e suharekasve në elitën e basketbollit kosovar.
Më i dalluari në këtë fitore ishte Alonzo Verge Jr me 23 pikë, katër kërcime e nëntë asistime. Kontribut në fitore dhanë edhe Vincent Cole me 12 pikë e jan Palokaj me 11-të të tjera. Kapiteni Gëzim Morina e mbylli ndeshjen me 10 pikë e dy kërcime. Te mysafirët, Jordan Dallas pati 15 pikë, tetë kërcime e dy asistime, kurse Atik Koshi realizoi 15 pikë, tre kërcime e dy asistime, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën. Ylli e synon vendin e dytë në tabelë. Aktualisht ka 43 pikë, me 17 fitore e nëntë disfata. Vëllaznimi mbetet me 37 pikë. Ka 11 fitore e 14 disfata.