Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ylli mposht Prishtinën dhe ia rrëmben pozitën e dytë

Golden Eagle Ylli e ka mbyllur vitin 2022 në pozitën e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e fundit të këtij viti Ylli triumfoi ndaj skuadrës së Sigal Prishtinës. Dueli i luajtur të mërkurën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, që i takoi xhiros së 16 të elitës së basketbollit kosovar, u mbyll me shifrat 71:51 në të mirë të ekipit vendas. Me këtë fitore Ylli ngjitet në pozitën e dytë në tabelë me 25 pikë të tubuara, sa i ka edhe Prishtina që bie në vendin e tretë, por që ka një ndeshje më shumë të luajtur.

Vitin në vendin e parë e mbyll skuadra e Pejës me 27 pikë të mbledhura. Në ndeshjen e luajtur në Suharekë, Prishtina vetëm dy herë ishte në epërsi me nga një pikë dhe atë në minutat e para të ndeshjes, përpara se Ylli ta merrte në dorë lojën. Çerekun e parë, Ylli e mbylli me një epërsi të lehtë prej katër pikëve (14:10), e cila në të dytin u ngrit në gjashtë pikë (32:26).

Pas kthimit nga pushimi, Ylli i tregua edhe më e fortë dhe e bëri dallimin ndaj Prishtinës në këtë dhjetë minutësh. Në fakt, në këtë periudhë, Ylli e krijoi edhe epërsinë më të lartë pasi shënoi 20 pikë derisa Prishtinën e limitoi vetëm në nëntë sosh. Ky çerek u mbyll me rezultatin 52:35, ndërsa epërsia e krijuar prej 17 pikëve ia mundësoi Yllit që në dhjetë minutat e fundit të futet dhe të luajë pa presion.

Megjithatë, Ylli e fitoi edhe këtë çerek dhe e mbylli ndeshjen me një fitore të rëndësishme prej 20 pikëve epërsi. Bashir Ahmed ishte më efikasi te Ylli me 21 pikë të shënuara dhe 9 kërcime. Ndërkohë, te Prishtina u veçua Dustin Thomas me 17 pikë e 6 kërcime. Për Yllin, kjo ishte fitorja e dhjetë rresht në Superligë. Ndërsa, në anën tjetër, Prishtina e pësoi humbjen e parë pas një serie prej pesë fitoresh.

Prishtinës në këtë takim i mungoi trajneri Murat Bilge, për të cilin është raportuar se është larguar nga ekipi. Bilge fillimisht ishte ndihmës i Ekrem Memnunit, përpara se ta merrte drejtimin e ekipit prej xhiros së dytë. Ndaj Yllit, ekipin e udhëhoqi Andin Rashica kurse prej vitit të ardhshëm në krye të ekipit pritet të rikthehet për herën e tretë trajneri nga Turqia, Ahmet Kandemir. Kjo xhiro, pas të cilës do të ketë një pushim të shkurtër prej dhjetë ditësh, do të mbyllet të enjten me dy ndeshjet e fundit. Dueli më interesant i ditës së enjte do të zhvillohet në Mitrovicë ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit. Ndërsa, në Gjakovë do të përballen Vëllaznimi me Rahovecin. Të dy ndeshjet do të startojnë në orën 19:00. Peja triumfoi të hënën ndaj Ponte Prizrenit pas vazhdimeve. Xhiroja e radhës është e paraparë të zhvillohet më datat 7/8 janar.