Golden Eagle Ylli pa telashe është kualifikuar në gjysmëfinale të turneut “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll.
Në ndeshjen çerekfinale që e zhvilloi të enjten në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ku edhe po mbahet kjo gare, Ylli e demoloi skuadrën e Dritës.
Ky takim që ishte si një stërvitje e lehtë për kampionin në fuqi të Kosovës, u mbyll me shifrat 116:57. Skuadra nga Suhareka ka dominuar tërësisht gjatë tërë ndeshjes ndërsa trajneri Adis Beçiragiq ka shfrytëzuar rastin për të inkuadruar të gjithë basketbollistët që i kishte në dispozicion.
Henrik Shirko ishte ndër më të merituarit për këtë fitore të thellë duke regjistruar “double-double” prej 12 pikëve e dhjetë kërcimeve ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Gëzim Morina (18) e Ardit Pepak (16).
Në anën tjetër, Isaiah Johnson dhe Qëndrim Demi shënuan nga 14 pikë secili për Dritën, ekip që këtë edicion ende nuk e ka shënuar asnjë fitore në Superligë.