Sport

Ylli i Kosovës bën hap të madh, transferohet te skuadra që luajti në Champions

Erëleta Memeti është futbollistja e vetme e Kosovës që luan në nivel të lartë evropian. 22-vjeçarja është pjesë e SC Freiburgut, që garon në Bundesligën gjermane, njërën prej ligave më të forta për futbolliste në botë. Prej edicionit të ardhshëm, Erëleta do të luajë në një skuadër më të fortë të Bundesligës gjermane. Ajo tashmë ka përfunduar transferimin te skuadra Hoffenheim. Te Hoffenheimi do të fillojë stërvitjet në korrik, ndërsa do të luajë prej edicionit të ardhshëm.

Hoffenheimi vjet përfundoi në pozitën e tretë në Bundesligë dhe në edicionin aktual luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Ishte në grup me kampionen aktuale, Barcelonën, dhe me Arsenalin. Nuk avancoi tutje.

Nga edicioni aktual, Hoffenheimi nuk do të kualifikohet në Champions. Por me yllin e Kosovës në përbërje e synon një gjë të tillë në edicionin e ardhshëm. Aktualisht Hoffenheimi është i pesti me 37 pikë. Freiburgu është i gjashti me 28 pikë.

“Është ekip i madh, ekip që lufton për vendet e para në tabelë. E synon vazhdimisht njërën prej tri pozitave të para, përkatësisht kualifikimin në Champions. Klubi është më profesional se Freiburgu dhe investon më shumë”, ka thënë Erëleta Memeti të enjten për KOHËN.

Me fanellën e Freiburgut, Erëleta ka zhvilluar shumë ndeshje ndaj Hoffenheimit. Pos ndeshjeve kampionale, ka luajtur edhe shumë miqësore. Në janar klubi ia prezantoi ofertën, ndërsa tashmë është kompletuar transferimi. Ajo kishte edhe një vit kontratë me Freiburgun, që e ka liruar me dëmshpërblim.

Me Hoffenheimin, sulmuesja ka firmosur për tre vjet.

“Te Hoffenheimi kanë vlerësuar faktin se si jam zhvilluar si lojtare te Freiburgu. Në fillim nuk kam luajtur e tani luaj rregullisht. Mendoj se është klub i duhur për mua dhe për zhvillimin tim të mëtejmë. Në edicionin e ardhshëm, me mua në formacion, skuadra synon kthimin në Champions, pra tri pozitat e para në Bundesligë. Edhe te Freiburgu kam kaluar mirë, por ishte koha për hap para. Te Freiburgu kanë folur shumë mirë, kanë thënë se largimi im është humbje e madhe për klubin dhe jo vetëm në aspektin sportiv”, ka theksuar Memeti.

Ajo i ka edhe dy ndeshje me Freiburgun. Në fillim të korrikut i bashkohet skuadrës së Hoffenheimit në stërvitje.

Memeti në edicionin aktual ka luajtur rregullisht për Freiburgun. Ka shënuar gjashtë gola. Ajo iu bashkua Freiburgut në vitin 2020 nga ekipi i dytë i Wolfsburgut. Te Freiburgu është zhvilluar vrullshëm.

“Për ne largimi i Erëletës është humbje e madhe, në aspektin sportiv dhe njerëzor”, ka thënë drejtorja sportive e Freiburgut, Birgit Bauer-Schick. “Ishte e qartë se do të pajtohemi me largimin vetëm nëse të tri palët përfitojmë në një mënyrë. Kjo ndodhi pas diskutimeve të gjata. Me zemër të thyer është dashur ta lejojmë Erëletën të largohet”, ka shtuar ajo.

Memeti gjithsej në Bundesligë i ka luajtur 38 ndeshje dhe ka shënuar tetë gola.

“Erëleta është zhvilluar jashtëzakonisht shumë te Freiburgu dhe ne jemi të lumtur që ajo dëshiron ta bëjë hapin e ardhshëm me ne”, ka thënë trajneri i Hoffenheimit, Gabor Gallai.

“Ne kemi marrë një lojtare dribluese dhe me nivel të lartë teknik që ka sy të mirë për situatat e lojës dhe mund të lëvizë mirë mes linjave. Me mënyrën që luan futboll ajo qartë se do të duket mirë te ne”.

Prej vitit 2015 e deri në vitin 2018, Memeti ka luajtur 13 ndeshje për grupmoshat e reja të Gjermanisë. Në shtator të vitit 2020 ajo debutoi te Kosova, ku tashmë është prej lojtareve kryesore. Memeti në 17 paraqitje për Kosovën ka shënuar tre gola.