Golden Eagle Ylli ka mposhtur në udhëtim Proton Cable Prizrenin dhe është barazuar me pikë me Pejën. Një xhiro para fundit të stinorit të rregullt, Peja e Ylli i kanë nga 45 pikë në pozitat dy e tre. Pozita e dytë për plejof do të vendoset vetëm në xhiron e fundit.
Në xhiron e fundit Ylli e pret Trepçën, ndërsa Peja luan në udhëtim ndaj Bashkimit. Ylli, të dielën mbrëma, mposhti Prizrenin me rezultatin e thellë, 96:63. Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së 27-të, përkatësisht të parafundit.
Dallimi në cilësi u bë i qartë që në çerekun e parë, të cilin skuadra suharekase e fitoi 28:16. Rrjedhë të njëjtë kishte edhe çereku i dytë. Në pjesën e dytë Ylli vetëm mbajti epërsinë. Alonzo Verge Jr udhëhoqi Yllin me 25 pikë. Aaron Jones i kishte tetë pikë e plot 13 kërcime.
Valon Bunjaku i realizoi 16 pikë e tetë kërcime. Te Prizreni u dallua Isaiah Kelly me 17 pikë e 13 kërcime. Ty Cockfield i kishte 13 pikë e dhjetë asistime. Proton Cable Prizreni përfundon në pozitën e parafundit dhe do të luaj në plejaut.