Ish-mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, të premten ka nisur stërvitjet te Leyton Orienti, ekip që bën gara në kategorinë e katërt të futbollit në Angli. Toure, 37-vjeçar, është aktualisht pa klub dhe ka vendosur t’i bashkohet Leytonit në stërvitje për të mbajtur formën, për shkak se jeton aty afër. Megjithatë, Toure nuk ka përjashtuar mundësinë që në edicionin e ri të bartë fanellën e kësaj skuadre. Klubi me krenari ka postuar fotografitë e Toures me fanellën e Leytonit duke stërvitur, gjë që ka shkaktuar befasi te të gjithë.
“Yaya Toure është një lojtar me karakter të fortë dhe fitues, kështu që futbollistët tanë do të kenë rastin të mësojnë prej më të mirit”, ka shkruar Leytoni Orienti në “Twitter”.
Toure, i cili ka fituar tre tituj kampioni në Premier League me fanellën e Manchester Cityt, në një intervistë për kanalin e klubit ka thënë se kishte ngecur në shtëpinë e tij në Londër për shkak të pandemisë së koronavirusit, pasi ndihmoi skuadrën Qingdao Huanghuai të sigurojë promovimin në kategorinë e parë të Kinës. Ai ka pranuar se aktualisht është lojtar i lirë dhe në pyetjen se a mund të jetë Leyton Orienti ekipi i tij i ardhshëm, Toure është përgjigjur se “ka gjasa”.
“Unë thjesht dua t’i shijoj stërvitjet këtu deri në momentin e fundit, për shkak se futbolli është gjithçka për mua. Klubi më lejoi të stërvitem me pjesën tjetër të lojtarëve, për çka edhe e falënderoj. Trajneri është fantastik dhe të gjithë më kanë mirëpritur, duke më bërë të ndihem si në shtëpi. Fillimisht dua të stërvitem duke dhënë më të mirën nga vetja dhe, sa i përket të ardhmes, ka gjasa të mbetem këtu. Por, do të shohim”, është shprehur Toure.
Toure gjatë tetë vjetëve me Manchester Cityn (2010-2018) ka fituar edhe trofe të tjerë, kurse ka qenë edhe pjesë e skuadrave të tjera të njohura të Evropës, si Monaco, Barcelona e Olympiacos. Madje, me fanellën e Barcelonës, Toure ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh, përfshirë këtu titullin e kampionit të La Ligas dhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Toure ka marrë pjesë edhe në tri kampionate botërore me Përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë, për të cilën ka regjistruar 101 ndeshje prej vitit 2004 deri në vitin 2015. Mirëpo, suksesin më të madh e arriti në vitin 2015, kur si kapiten i Bregut të Fildishtë e ngriti trofeun e Kupës së Afrikës. Edhe te Leytoni kanë mbetur të befasuar, por njëkohësisht krenarë që në përgatitje u është bashkuar një futbollist me emër si Yaya Toure. Në fakt, trajneri Ross Embleton ka pranuar se ndihet i privilegjuar të ketë nën urdhrat e veta mesfushorin.
“Në fillim kam menduar se është një shaka kur menaxheri i Toures me kontaktoi para dhjetë ditësh, por më vonë e kuptova se kërkesa për t’u stërvitur me ne ishte e vërtetë. Është një mundësi e artë për ne dhe nëse mund ta marrim do të jetë fantastike për shkak se bëhet fjalë për njërin prej lojtarëve më të mirë në botë për pozitën e tij”, është shprehur Embleton. “Gjithashtu, prania e Toures te ne do të jetë mundësi e artë që të gjithë të mësojmë prej përvojës së tij të madhe”.