Sport

Yakin premton lojë sulmuese dhe fitore të Zvicrës

Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin ka premtuar se ekipi i tij do të aplikojë lojë sulmuese ndaj Serbisë, në ndeshjen që luhet të premten në kuadër të Grupit G.

Yakin ka insistuar se Zvicra do të jetë edhe më sulmuese ndaj Serbisë, sesa ndaj Brazilit e Kamerunit. Po ashtu, ai ka thënë se është i bindur që do t’i shfrytëzojnë të gjitha rastet dhe do ta fitojnë ndeshjen.

“Ne patëm shumë raste ndaj Kamerunit, ndërsa ndaj Brazilit nuk e kishim aspak të lehtë. Ndeshja me Serbinë, do të jetë krejtësisht ndryshe. Ne duhet të luajmë me besim më të madh dhe të jemi më sulmues. Nëse e bëjmë këtë, atëherë besoj se do të fitojmë”, është shprehur Yakin.

“Është më shumë e rëndësishme ta dominojmë ndeshjen. Duhet t’i mbajmë emocionet nën kontroll. Serbia është e fortë, por ne gjithashtu kemi një ekip të mirë dhe do të luftojmë për të avancuar në 1/8 e finales”.