Majlinda Kelmendi është xhudistja me të cilën është përballur më së shpeshti zviceranja Evelyne Tschopp.
28-vjeçarja Tschopp i ka humbur të gjitha tetë përballjet me kampionen olimpike, në nivel senior. Xhudistja nga Zvicra vazhdimisht flet me respekt maksimal për Majlindën, ndërsa kështu ka vepruar edhe së fundi në një intervistë për “JudoCrazy”.
Ajo ka treguar se me Majlindën ka më shumë se tetë përballje. Është pyetur nëse mendon se do të jetë në gjendje të mposhtë Majlindën në përballjen e ardhshme.
“Është fakt interesant se Kelmendi është në moshë të njëjtë me mua. Kur ne ishim fëmijë, ajo shpesh ka ardhur në Zvicër për të ushtruar dhe kam luftuar ndaj saj shumë herë në garat vendore. Kështu që rivaliteti ynë në fakt është shumë më i hershëm se që njerëzit e dinë. Nëse mbaj mend mirë, e kam mposhtur një herë … haha”, ka thënë Evelyne Tschopp, që po ashtu është xhudiste e nivelit të lartë, por jo e nivelit të Majlindës.
“Është vërtetë luftëtare e fortë që fizikisht është në nivel shumë të lartë. Ka po ashtu hedhje shumë të forta nga ijet. Por unë e kam hedhur atë dy apo tri herë në gara. Kam besim se mund ta mposhtë atë. Ndoshta jo në përballjen e ardhshme, por në të ardhmen e afërt”, ka shtuar Tschopp.
Tschopp ka dy medalje të bronzta evropiane, ndërsa ka suksese edhe në gara tjera të xhudos. Majlinda (29) më së shumti përballje ka me italianen Odette Giuffrida, gjithsej dhjetë. Bilancin ndaj saj e ka shtatë fitore e tri humbje. Me Andreea Chitu, Mareen Kraeh e Karolina Pienkowska, ka bilanc 7:0, pra vetëm fitore.
Zvicra ëshë prej vendeve të para që ka hapur dyert për xhudistët kosovarë. Rrjedhimisht Majlinda dhe xhudistet tjera të Kosovës kanë nisur herët të garojnë në këtë vend. Por në përgjithësi niveli i xhudos në Kosovës është më i lartë se i xhudos në Zvicër.
“Sa herë që përballem me Majlindën kam rastin për të testuar veten. Të luftojë ndaj xhudistes më të dekoruar në kategorinë time është gjithnjë e veçantë. Nuk kam çka të humbas. Por në të njëjtën kohë dua të fitoj dhe të sfidoj atë. Fizikisht është skajshmërisht e fortë. Shfrytëzon thuajse secilin gabim që bëjë. Mendoj se edhe kur humbas çdo përballje me të, jo çdo herë është e lehtë për të, kështu që ne mund të shtyjmë njëra-tjetrën para edhe në kampe stërvitore. Të ushtrosh me të është e përkryer. Mund të mësoj shumë. Qasja e saj është shumë profesionale dhe ajo vazhdon të punojë çdo ditë për t’u përmirësuar”, kishte thënë Tschopp në një intervistë për KOHËN.