Tre bartës të dytë i ka ekipi i Kosovës në xhudo në Grand Slamin në Tbilisi që mbahet prej të premtes e deri të dielën.
Në garën e radhës të Turit Botëror të Xhudos, Kosova paraqitet me katër xhudistë. Tre prej tyre janë bartës të dytë nëpër kategori. Në garën e madhe në Tbilisi të Gjeorgjisë marrin pjesë 464 xhudistë nga 80 shtete të ndryshme. Është garë e rëndësishme për të mbledhur pikë për ranglistën olimpike dhe për t’u përgatitur për Evropian që mbahet nga 16 deri më 18 prill në Lisbonë të Portugalisë.
Xhudistët e Kosovës marrin rregullisht medalje në garat e nivelit Grand Slam, por edhe në të gjitha garat e tjera. Podiumi synohet natyrisht edhe në Tbilisi.
Nora Gjakova është bartësja e dytë në kategorinë deri 57 kilogramë, pas kanadezes Christa Deguchi. Loriana Kuka është bartësja e dytë në kategorinë deri 78 kilogramë, pas gjermanes Anna Maria Wagner.
Ndërkohë në kategorinë deri 73 kilogramë Akil Gjakova është bartës i dytë, pas kanadezit Arthur Margelidon. Kosovën e përfaqëson edhe Laura Fazliu, që nuk është bartëse në kategorinë deri 63 kilogramë.
“Pres që ekipi të kthehet me medalje. Kemi punuar mirë dhe garuesit janë në formë. Por natyrisht nuk është e lehtë. Konkurrenca është e fortë në çdo kategori. Xhudistët tanë kanë cilësinë të fitojnë medalje dhe të shohim”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ai nuk ka udhëtuar për në Tbilisi. Ka dërguar asistentin Fatos Tabaku me ekipin.
“Është garë e rëndësishme për pikë olimpike. Sidomos për Akilin e Laurën është garë me peshë sa u takon pikëve. Laura me plasman mbetet në garë për normë, në të kundërtën gjasat i minimizohen”, ka shtuar Kuka.
Ekipi i Kosovës në xhudo për dy javë ka qenë në një kamp që është organizuar në Durrës. Xhudistet kanë pasur sparingje të forta me garuese nga mbi dhjetë vende. Dhe forma e tyre ishte e mirë. Por aktualisht xhudistët nuk janë në formën më të lartë të mundshme. Atë e synojnë në Evropian e sidomos në Botëror e në Lojëra Olimpike.
Nora Gjakova në luftën e parë përballet me ukrainasen Mariia Skora. Ajo garon të premten. Të shtunën garojnë Akil Gjakova e Laura Fazliu. Akili e ka përballë fillimisht filipinasin Keisei Nakano. Laura Fazliu përballet me austriaken Magdalena Krssakova.
Loriana Kuka mbyll garimin për Kosovën, të dielën. Ajo në xhiron e parë është e lirë, ndërsa në të dytën e pret fituesen e përballjes Karen Leon (Venezuela) – Inbar Lanir (Izrael).
Për garën në Tbilisi trajneri Kuka ka kursyer dy prej adutëve kryesorë të tij, Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi. Majlinda ka sukseset bindshëm më të mëdha prej sportistëve shqiptarë dhe po përgatitet për medalje në Lojërat Olimpike të Tokios. Ndërkohë Distria aktualisht është në formën më të lartë prej xhudistëve kosovarë dhe po merr medalje në secilën garë ku paraqitet. Fokusi i saj aktualisht është Evropiani e më pas Botërori e Lojërat Olimpike.