Distria Krasniqi mbeti pa medalje në garën e parë të saj pas suksesit në Lojëra Olimpike. Paraqitje për të harruar kishin Laura Fazliu e Erza Muminoviq, dy prej xhudisteve më premtuese në vend. Ndonëse Distria, Laura e Erza nuk ishin në ditën më të mirë, Kosova as të premten nuk mbeti pa medalje me peshë.
Është Flaka Loxha që ka fituar medalje të bronztë në Evropianin e senioreve të reja, përkatësisht të grupmoshës U23. Evropiani U23 vlerësohet sidomos për garueset që bëjnë kalimin nga junioret te senioret. Në fazë të tillë janë Flaka, Laura e Erza.
Derisa Laura e Erza i humbën luftërat e para, Flaka Loxha pati një ditë më të gjatë në Budapest të Hungarisë. Ajo garoi në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa për vend të tretë e mposhti turken Hasret Bozkurt. Lufta ishte e fortë, ndërsa u vendos në kohën shtesë. Flaka fitoi me mbërthim.
Për xhudisten pejane është suksesi më i madh në karrierën e deritashme.
Flaka në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti zviceranen Olivia Gertsch. Më pas humbi nga francezja Ophelie Vellozzi. Në repesazh fillimisht e mposhti letonezen Anastasija Sokirjanska e më pas edhe turken.
Medalja e fituar dëshmon për rritjen e ekipit të Kosovës. Edhe kur disa xhudiste nuk janë në ditën më të mirë, del ndonjëra që e siguron suksesin. Këtë e pranon edhe trajneri Driton Kuka.
“Ekipi është rritur, frymon bashkë dhe gjithmonë ndonjëri përkujdeset për medalje. Sot fituam medalje të rëndësishme, ndonëse Erza e Laura nuk e nisën ditën mirë”, ka thënë Kuka për KOHËN.
Një ditë të komplikuar kishte kampionia olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë, Distria Krasniqi. Ajo ka nisur rrugëtim të ri në kategorinë deri 52 kilogramë, ku në fakt është paraqitur edhe më herët, por fare pak në ciklin e kaluar olimpik. Për shkak të ndryshimit të kategorisë, Distria nuk ishte në mesin e bartëseve kryesore në Grand Slamin e Bakusë, garë jo me konkurrencën e zakonshme.

Që në luftën e parë Distria pati telashe me japonezen Nanako Tsubone, të cilën megjithatë e mposhti në kohën shtesë. U ndal në luftën e dytë nga hungarezja Reka Pupp, që e kishte mposhtur edhe Majlinda Kelmendin në “Tokio 2020”. Ky detaj, fitoret ndaj dy kampioneve olimpike kosovare, nuk ka kaluar pa u theksuar nga mediumet e specializuara të xhudos. Në luftën e parë të repesazhit ndaj belges, Amber Ryheul, Distria nuk kishte telashe. Por e humbi “finalen” për vendin e tretë. Rusja Anastasia Polikarpova e mposhti. Hungarezja Pupp e fitoi të artën në fund, ndërsa Distria u rendit e pesta.
Mbetja e Distrisë pa medalje nuk e ka brengosur trajnerin Kuka. Ai e di se kjo fazë është testuese për Distrinë dhe i shërben për t’u përshtatur pas ndryshimit të kategorisë.
“Ngadalë i analizojmë të gjitha kundërshtaret dhe e rritim formën. Rrugëtimi i Distrisë natyrisht do të kulmojë atje ku duhet, në Parisi 2024. Faza në të cilën po kalon Distria është e domosdoshme për të arritur atje ku synojmë”, ka theksuar Kuka.
Edhe ekspertët e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos kanë shkruar se mbetja pa medalje e Distrisë në këtë fazë nuk është ndonjë dështim.
“Disa erdhën në Baku me medalje olimpike dhe humbën. Por prapa humbjeve është e qartë që po punojnë shumë për të ardhshmen e jo për të sotmen. Është vetëm përgatitje, e shfrytëzojnë përvojën për të marrë fitoret dhe humbjet si edukim për të ardhmen. Kampionët olimpikë nga Kosova e Brazili kanë humbur, por është në rregull. Nuk është e preferueshme, por është e tolerueshme”, ka thënë Mohamed Meridja, drejtor i IJF-së për edukim dhe trajnim.
Hungarezja Reka Pupp natyrisht është mburrur me fitoren ndaj Distrisë.
“Kam qenë vërtetë e përgatitur mentalisht për luftën e parë të ditës, që ishte më e vështira. Kam filluar sot, ashtu si në Tokio, duke u përballur me kampione olimpike nga Kosova. Ndonëse ka ardhur nga kategoria deri 48 kg, ajo ka emër të madh dhe xhudo të fortë. Kam dashur të dëshmoj që mund ta bëj sërish. Në përgjithësi jam shumë e kënaqur me paraqitjen time në ciklin e ri, kam mposhtur dy medaliste olimpike dhe mora të artën”, ka thënë hungarezja Pupp.