Skuadra e Arsenalit është duke u përballur me probleme të shumta në mbrojtje. Pritet t'i mungojnë disa lojtarë dhe për të mbuluar hapësirat trajneri Unai Emery ka menduar ta kthejë sërish Xhakën si mbrojtës të krahut të majtë për ndeshjen kundër Brightonit.
Kjo ndeshje do të zhvillohet të mërkurën (sot), në kuadër të xhiros së 19-të të Premier Leagues së Anglisë. Në dyshim për këtë ndeshje janë dy mbrojtësit, ai i krahut të majtë Nacho Monreal dhe Shkodran Mustafi. Arsenalit i mungojnë shkaku i lëndimeve edhe dy mbrojtësit tjerë, Konstantinos Mavropanos dhe Hector Bellerin.
"Nëse Monreal do të mungojë, gjë që është shumë e mundur, atëherë Granit Xhaka sërish duhet ta mbulojë anën e majtë të mbrojtjes", shkruan "football.london".
Në pozitën e mbrojtësit të krahut, Xhaka luajti edhe dy xhiro më parë ndaj Southamptonit, ndeshje të cilën Arsenali e humbi 3:2. Për Arsenalin mesfushori i përfaqësueses së Zvicrës ka shënuar dy gola dhe ka asistuar një herë në 17 ndeshje.