Florian Wirtz përfundimisht do të largohet nga Bayer Leverkuseni në fillim të vitit të ardhshëm. “Kicker” ka raportuar se te Leverkuseni presin ta shesin mesfushorin 20-vjeçar në afatin kalimtar të janarit pas interesimit të fortë nga PSG-ja, Real Madridi e Manchester Cityt për shërbimet e tij.
Wirtz po shkëlqen edhe këtë edicion tek Leverkuseni, ku ka shënuar 2 gola dhe ka bërë po aq asistime në katër ndeshje të luajtura deri më tani. Ai ka kontratë me ekipin gjerman deri në vitin 2027 dhe një klauzolë lirimi në vlerë prej 100 milionë eurosh.
Wirtz u kërkua shumë edhe në afatin kalimtar të verës, por Leverkuseni refuzoi të gjitha ofertat për shkak se ishin më të ulëta se klauzola e tij e lirimit. Wirtz prej vitit 2020 është pjesë e ekipit të parë të Leverkusenit, ndërsa ka edhe 10 paraqitje me Gjermaninë.