Prishtinë, janar – Fundori amerikan, Erving Walker, mezi po e pret debutimin me fanellën e skuadrës së Trepçës në Superligën e Kosovës në basketboll. Walkeri 30-vjeçar, më 30 dhjetor, është prezantuar te Trepça, kurse në Mitrovicë ka zbarkuar të hënën mbrëma. Ai për KOHËN ka thënë se është plotësisht i gatshëm për ndeshjen e së enjtes të cilën Trepça e luan në palestrën “Minatori” kundër skuadrës lidere, Rahovecit (15:00), në kuadër të xhiros së 13-të të elitës së basketbollit kosovar.
Të mërkurën rifillon Superliga e basketbollit pas një pushimi të shkurtër prej një jave për festat e fundvitit.
Walkeri është optimist se te Trepça do të debutojë në mënyrën më të mirë të mundshme - me fitore. Sipas tij, fitorja në ndeshjen e parë të këtij viti do të jetë një paralajmërim për rikthimin e fuqishëm të Trepçës që 2020-n e mbylli në pozitën e fundit në tabelë me 14 pikë. Skuadra mitrovicase regjistroi vetëm dy fitore, kurse pësoi dhjetë humbje në 12 ndeshje të luajtura.
“Jam plotësisht i gatshëm për ndeshjen e parë, jo vetëm me Trepçën por edhe ndeshjen e parë zyrtare timen që nga paraqitja e koronavirusit. Me padurim pres të luaj dhe shpresoj të jap kontributin tim për çka edhe kam ardhur”, tha Walkeri të martën.
Walkeri ka një karrierë të bujshme në basketbollin evropian. Ka luajtur në disa prej ligave më të forta të kontinentit të vjetër, përfshirë ato të Polonisë, Francës e Turqisë. Së fundmi, Walkeri ishte pjesë e ekipit të Superligës së Egjiptit, Zamalek.
Amerikani Walker karrierën si profesionist në Evropë e nisi tek ekipi i divizionit të dytë të Italisë, Prima Veroli (2012-2013) për të vazhduar pastaj te Stelmet Zielona Gora (Poloni), Elan Chalon, JDA Dijon Basket, SIG Strasbourg (Francë) dhe Buyukçekmece e Pinar Karshiaka (Turqi). Te Buyukçekmece luajti në dy raste, ku pjesë e këtij klubi përgjatë kësaj periudhe ishte edhe Serhat Shehit që e kishte rolin e ndihmëstrajnerit. Pikërisht Shehiti është bërë “sebep” që Walkeri i është bashkuar skuadrës së Trepçës. Gjashtë ditë përpara se Trepça të njoftonte për angazhimin e lojtarit amerikan, e konfirmoi trajner të ekipit turkun Shehit, që në këtë post zëvendësoi Neven Plantakun e larguar. Walkeri pranon se ishte trajneri Shehit ai që e bindi të vinte në Kosovë.
“Këtu kam ardhur për shkak të trajnerit me të cilin kam punuar në Turqi. Mbi të gjitha jam kthyer në basketbollin evropian edhe njëherë për të dëshmuar vlerat e mia pasi edicionin e shkuar nuk luajta në Evropë”, pranoi Walkeri.
Basketbolli kosovar nuk është i panjohur për Walkerin, i cili insistoi se ka njohuri të mjaftueshme. Në të vërtetë, Walkeri ka luajtur kundër skuadrave nga Kosova. Në edicionin 2016/17, Walkeri ishte pjesë e ekipit turk, Buyukçekmece, në të dyja ndeshjet që i luajti kundër Sigal Prishtinës në kuadër të FIBA Europe Cup. Të dyja këto takime të luajtura në nëntor dhe dhjetor të vitit 2017, i fitoi bindshëm ekipi nga Turqia (86:59 dhe 84:66), kurse Walkeri realizoi në total 19 pikë.
“Mund të them se e njoh basketbollin në Kosovë dhe kam dëgjuar për të. Kur e them këtë atëherë bazohem te dy ndeshjet që i kam luajtur kundër Prishtinës para gati tre vjetësh në kuadër të FIBA Europe Cup. Në total me Prishtinën i kam luajtur katër ndeshje, pasi dy herë jam përballur edhe si pjesë e Karshiakas. Besoj se nuk do ta kem problem të adaptohem edhe në këtë ligë”, tha Walkeri që shtoi se këtë edicion kampionati po duket interesant bazuar në rezultatet e deritashme, ku distanca në pikë ndërmjet skuadrave nuk është e madhe.
Walkeri e ka parasysh situatën e Trepçës, por thotë se ekipi nga Mitrovica do ta ketë një fytyrë krejtësisht tjetër këtë vit. Madje, paralajmëron se Trepça mund edhe të luftojë për trofe. Walkeri pranon se janë trofetë ata që i mungojnë në karrierën e tij profesioniste. E trofeun e parë në karrierë, ai po shpreson ta fitojë me fanellën e Trepçës.
“Në Francë kam arritur deri në finale, por kurrë nuk kam fituar trofe, gjë që shpresoj të fitoj me Trepçën në Kosovë. Unë gjithmonë luaj për të fituar trofe dhe me këtë synim kam ardhur edhe te Trepça, pasi besoj se kemi ekip për ta kërkuar suksesin këtë edicion pavarësisht gjendjes në tabelë”, u shpreh amerikani Walker.
Walkeri është njëri prej tre amerikanëve te Trepça. Krahas tij pjesë e ekipit janë edhe Staphon Blair e Dillon Smith. Së fundmi te Trepça është kthyer edhe Drilon Hajrizi pas më shumë se shtatë vjetësh, por që do të debutojë më vonë. Me këta lojtarë edhe trajneri Shehit është i bindur se ekipi i tij tashmë është kompletuar dhe është i gatshëm për t’i sfiduar ekipet e tjera për trofe.
“Po, Trepça do të jetë gati për të luftuar për trofe pasi për këtë arsye kemi bërë këto lëvizje, ku kemi ndryshuar një pjesë të madhe të ekipit për t’iu përshtatur sistemit tim të lojës. Tash besoj se do të ndryshojmë fytyrën dhe gradualisht do të ngjitemi në tabelë”, theksoi Shehiti. “Natyrisht, nuk do të jetë lehtë. Pjesa e dytë e këtij edicioni do të jetë shumë e vështirë duke pasur parasysh edhe lëvizjet e ekipeve të tjera. Por, mund të them se jemi të gatshëm”.
Skuadra e Trepçës suksesin e fundit në basketbollin e Kosovës e ka pasur në edicionin 2011/12, kur fitoi titullin e kampionit dhe kupën.
Superliga – XIII
E mërkurë (15:00)
G.E. Ylli – Peja
Vëllaznimi – S. Prishtina
E enjte (15:00)
Trepça – Rahoveci
Bashkimi – P. Prizreni
1. Rahoveci 12 21
2. P. Prizreni 12 21
3. Peja 12 20
4. G.E. Ylli 12 19
5. Bashkimi 12 18
6. Vëllaznimi 12 16
7. S. Prishtina 12 15
8. Trepça 12 14