Sport

Waldron, futbollisti i Liverpoolit që luajti me Gerrardin dhe përfundoi në burg

Në mars të vitit 2015 mbrojtësi tinejxher i Liverpoolit, Dahrius Waldron, ishte zëvendësues në ndeshjen me dyer të mbyllura në qendrën stërvitore të klubit, në Melwood. Skuadra e të rinjve të Liverpoolit po luante kundër Shrewsbury Townit në një ndeshje të aranzhuar për t’i dhënë kapitenit Steven Gerrard takim stërvitor, për shkak se ishte shumë afër rikthimit nga lëndimi.

“Hyra në lojë dhe e pasova topin te Gerrardi”, ka thënë Waldron për “BBC Sport”. “Ai ma ktheu topin sërish dhe vazhdoi para. Ka qenë një prej momenteve për të cilat mendon me vete: ‘Nuk do ta harroj kurrë këtë’”.

Tre vjet më vonë Waldron u burgos për 10 muaj pas një përleshjeje në një klub nate në Manchester, dhe shpresat e tij për t’ia dalë te Liverpooli mbetën vetëm kujtim i largët. Tani ai luan te klubi i kategorisë së shtatë, Stalybridge Celtic, që e priti Lancaster Cityn në raundin e parë kualifikues të Kupës FA të shtunën. Waldron flet për momentet se si u zgjodh nga Liverpooli në moshën 12-vjeçare, u largua në moshën 18-vjeçare, u arrestua në moshën 20-vjeçare dhe se si e ringjalli jetën e tij pas burgut.

“Nga stërvitjet me lojtarë si Philippe Coutinho deri te përfundimi në burg nuk ishte kohë e largët, kontrasti ishte i madh”, thotë ai.

“Unë jam Dahrius dhe luaj për Liverpoolin”

I rritur në zonat “Moss Side” dhe “Hulme” të Manchesterit, Waldron e kishte ëndrrën që të bëhej futbollist. Ai nisi të luante në një ekip në moshën 10-vjeçare. Në moshën 12-vjeçare ai u pa nga Liverpooli sa ishte pjesë e skuadrës Fletcher Moss Rangers – një klub për të rinj në të cilin ka qenë edhe ish-lojtari i Manchester Unitedit dhe Anglisë, sulmuesi Marcus Rashford. Waldron i kaloi katër vjetët e ardhshëm duke udhëtuar pas mësimit 48 kilometra deri në Akademinë e Liverpoolit në Kirkby, për të stërvitur me lojtarë si Ryan Kent, i cili që atëherë u bë shok i ngushtë dhe tani luan për Rangersin dhe Harry Wilsonin, tani te Fulhami.

“Ishte ndjenjë e mirë pasi mund të thosha, ‘Jam Dahrius dhe luaj për Liverpoolin’”, thotë ai.

Në moshën 16-vjeçare ai u transferua me familje në Prescot për ta zvogëluar udhëtimin. Pas ditëlindjes së 18-të atij iu kërkua që ta mbushte numrin për ndeshje kontrolluese në Melwood, për ta ndarë të njëjtën fushë me brazilianët, Coutinho dhe Lucas Leiva. Por kohës së Waldronit te Liverpooli po i vinte fundi. Me Raheem Sterlingun – i cili ishte dy vjet më i vjetër se ai – e që kishte zënë vend në ekipin e parë të Brendan Rodgersit, dhe me Trent Alexander-Arnoldin – dy vjet më i ri e që vlerësohej se mund të bënte gjëra të mëdha – konkurrenca ishte shumë e fortë.

Duhej të merreshin vendime të vështira dhe Waldron ishte një nga ata që u lirua në fund të sezonit 2014/15. Pasoi një bursë e dështuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe më pas nisi të luante në rangun e nëntë apo të dhjetë të futbollit anglez.

Waldron hasi në vështirësi për të gjetur rehatinë dhe lëvizte nga një klub amator te tjetri – duke luajtur për Maine Road, Norwich Victoria, 1874 Northwich dhe Stockport Toën, në një periudhë të shkurtër kohore. Më pas, një natë e shtatorit të vitit 2017 jeta e tij ndryshoi jashtë një klubi nate në Manchester.

“Qelia ime mbante erë urine”

Waldron nuk ka qenë në telashe me policinë më parë. Duke u rritur, atij i mungonte figura e babait, por nëna e tij, Karen dhe tri motrat më të mëdha ia kishin mësuar dallimin mes të drejtës dhe të gabuarës.

“Nëna ime është shumë e rreptë në sjellje”, thotë ai. “Ajo është shumë e fortë në këtë drejtim. Një herë fitova një çmim në shkollë si nxënësi me sjelljen më të mirë. Kjo është falë nënës”.

Por pesë vjet më parë, ai ishte përfshirë në një përleshje jashtë një klubi nate, derisa ishte duke festuar ditëlindjen e një shoku. Waldron u shpall fajtor për sjellje të dhunshme dhe vuajti 10 muaj dënim në burg – fillimisht në “HMP Forest Bank” në Salford, para se ta përfundonte gjithë dënimin në “HMP Risley”, afër Warringtonit.

“Nga një lojtar i një prej klubeve më të mira në botë, në burg”, kujton ai. “Në Risley, më futën në një qeli qe mbante erë urine dhe muret ishin të fëlliqura me jashtëqitje të njerëzve”.

Liverpooli nuk e ka harruar ish-lojtarin. Derisa ishte në Risley, ai pati vizitë nga Phil Roscoe – në atë kohë, drejtor për edukim dhe mirëqenie në klub.

“Nuk do t’i harroj asnjëherë fjalët e tij”, thotë Waldron. “Ai më tha: ‘Mos e lejo askënd që ta përdorë këtë për ta përcaktuar të ardhmen’. Ai tha se e dinte se kush jam unë në të vërtetë”.

Me Kentin, të cilin Waldron e vizitoi kur Liverpooli e huazoi atë te Freiburgu në vitin 2017, po ashtu mbajti shoqëri. Waldron u lirua më 9 korrik të vitit 2019.

“Nëna ime dhe motrat po më prisnin jashtë Risleyt”, thotë ai. “Nuk isha i interesuar në festë. Doja të shkoja në shtëpi, të pastrohesha, t’i prisja flokët. Doja t’i përqafoja mbesat dhe nipërit – kënaqësi të thjeshta në jetë”.

Të stabilizohesh dhe të bëhesh baba

Tre vjet më vonë kujtimet e të qenit i mbyllur mbeten. Waldron është në kontakt me Jaken – shokun e qelisë në Forest Bank.

“Kemi shikuar ‘Football Focus’ në televizor së bashku”, thotë ai. “Ishte pjesa më e mirë e javës”.

Ai po ashtu ka mbajtur lidhje të ngushtë me familjen Tallant në Prescot, që e ka trajtuar atë si “një prej tyre” kur ai jetoi me ta për dy vjet.

“Ata më ndihmuan të mësohem të ngas dhe madje më ftuan në pushime familjare në Portugali”, thotë Waldron, i cili i ka inicialet e tyre tatuazh në nyjën e dorës së djathtë.

“Kam shkuar t’i shoh pasi u lirova nga burgu për t’u treguar se çfarë ndodhi. E ndjeva se duhej t’u jepja një shpjegim. Nuk e mendova se ata do të mund ta ndryshonin mendimin për mua. Ata gjithmonë do të jenë pjesë e familjes sime”.

Qëkur u largua nga Risley, Waldron është takuar me një partnere, është bërë baba dhe nga banakieri është bërë menaxher asistent në një restorant në Manchester.

“Nuk do të mund të isha më i lumtur”, shton ai. “Së fundmi jam shpallur asistenti më i mirë i vitit në restorant, që u zgjodh nga kolegët e mi. Partnerja ime dhe unë po kalojmë mirë dhe djali ynë do të jetë dyvjeçar në shkurt. Duke u rritur, nëna ime bëri më të mirën për mua dhe motrat e mia. Dua që ta bëj më të mirën për djalin tim”.