Mënyra se si mediat në Serbi kanë shkruar për emërimin e Dejan Vukiçeviqit në krye të Feronikelit, ka prekur trajnerin malazez.
Kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli, të martën pasdite njoftoi se Vukiçeviq do të jetë trajner i tij për edicionin 2019\2020, shkruan sot Koha Ditore.
Lajmi menjëherë u përcoll në mediat e Malit të Zi, ku Vukiçeviq ka arritur suksese të mëdha e më pas edhe në ato të Serbisë.
Vukiçeviq ka të kaluar të gjatë edhe në futbollin e Serbisë, por mediat e këtij vendi kanë prezantuar angazhimin e tij të ri në mënyrë jokorrekte, të paktën.
"Bubullimë nga qielli i kthjellët! Ish-futbollisti i Partizanit merr drejtimin e kampionit të Kosovës", ishte titulli i gazetës beogradase "Blic".
"'Grobari' (varrmihësit) e kujtojnë për penalltinë e humbur në Zagreb ndaj Croatias: Ish-futbollisti i Partizanit bëhet trajner i klubit shqiptar nga Kosova", është titulli i gazetës tjetër serbe, “Kurir”.
"Tifozët e Partizanit do ta urrejnë çdoherë për këtë veprim", ka shkruar "espreso.rs". Një sajt tjetër radikal ka shkruar për vendim të turpshëm të trajnerit malazez, duke shkruar në titull se "çka i është dashur kjo"...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)