Pasi ka përfunduar edicionin më të suksesshëm në karrierën e deritashme, Idriz Voca ndihet i gatshëm për të marrë përgjegjësi të mëdha edhe te përfaqësuesja e Kosovës në futboll.
Voca 22-vjeçar me shumë mundësi do të jetë lider i mesfushës së Kosovës në dy ndeshjet e ardhshme eliminatore. Kosova më 7 qershor luan në udhëtim ndaj Malit të Zi, ndërsa më 10 qershor, po në udhëtim, përballet me Bullgarinë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kosovës në këto dy ndeshje do t'i mungojnë tre mesfushorët kryesorë. Hekuran Kryeziu e Valon Berisha kanë pësuar lëndime të rënda dhe mungojnë më gjatë, ndërsa Herolind Shala do të mungojë disa javë për shkak të një lëndimi muskulor, por nuk do të grumbullohet për dy sfidat e qershorit.
Kjo treshe ka përbërë mesfushën e Kosovës në të gjitha ndeshjet e viteve të fundit, por tani Bernard Challandes duhet të mendojë opsione të tjera. Prej lojtarëve që janë në listën e tij, Voca është i vetmi që aktivizohet rregullisht si mesfushor defensiv edhe te skuadra ku luan.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)