Përzgjedhësi i përkohshëm i Burkina Fasos, Oscar Barro, ka paralajmëruar futbollistët e tij në prag të dy ndeshjeve miqësore të këtij muaji, me Kosovën (24 mars) në Prishtinë dhe Belgjikën (29 mars) në Bruksel.
Barro ka thënë se asnjëra prej ndeshjeve miqësore nuk bën të nënçmohet dhe ka kërkuar nga futbollistët e tij që të angazhohen maksimalisht për rezultate pozitive. Burkina Faso të martën ka zbarkuar në Kosovë, ndërsa të enjten do të përballet me “Dardanët” në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Barro pret seriozitet të madh si ndaj Kosovës që renditet e 111-a në ranglistën e FIFA-s, ashtu edhe kundër Belgjikës që i prin kësaj liste. Burkina Faso zë vendin e 60-të.
Barro ka pasur fjalë të mira për Kosovën dhe ka zbuluar se tashmë i ka shikuar disa ndeshje të “Dardanëve” për t’u përgatitur sa më mirë për duelin miqësor. Barro e ka vlerësuar Kosovën ekip cilësor të mbushur me talente.
“Asnjëra prej këtyre ndeshjeve nuk bën të neglizhohet. Kosova ka cilësi dhe po ngjitet gradualisht në listë. Ne i kemi parë tashmë ndeshjet që Kosova i ka luajtur me Greqinë dhe Spanjën, që do të thotë se është një ekip në ndërtim e sipër”, ka pranuar Barro, i cili në këtë post e zëvendësoi Kamou Malon para një muaji. “Ka lojtarë që luajnë në Angli, Zvicër, Spanjë e shumë vende tjera të botës. Kjo do të thotë automatikisht se është një ekip shumë cilësor dhe i mbushur me talente. Ne duhet t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh dhe të marrim një rezultat të mirë”.
Burkina Faso do të përballet me Kosovën pas paraqitjes së mirë që e pati në Kupën e Afrikës, që u mbajt në fillim të këtij viti, ku përfundoi në pozitën e katërt. Sikurse përzgjedhësi Barro edhe qendërmbrojtësi i Bayer Levekusenit, Edmond Tapsoba, ka insistuar se asnjëri prej kundërshtarëve të këtij muaji nuk bën të neglizhohet. Ai ka thënë se Burkina Faso ka ftuar lojtarë të rinj dhe se ata duhet të dëshmojnë se meritojnë të jenë pjesë e ekipit që po synon ndërrimin e gjeneratës.
Edhe
Burkina Faso vjen në Prishtinë pa gjashtë futbollistë
“Ekipi po rinovohet ndonëse provimin e dha në Kupën e Afrikës. Këto dy ndeshje miqësore do të kontribuojnë edhe më shumë për ta forcuar ekipin tonë dhe për të krijuar një lidhje mes futbollistëve. E kemi edhe trajnerin e ri dhe besoj se në këto miqësore do ta bëjmë të pamundurën për të pasur rezultate dhe një start të mirë që do të jetë shumë i rëndësishëm”, ka thënë Tapsoba, që ka vlerësuar duelin me Kosovën. “Kosova nuk është aspak kundërshtar i lehtë, sepse na pati mposhtur në një miqësore me rezultatin 2:0. E kemi parasysh se çfarë ekipi është dhe çka mund të bëjë. Duhet të luajmë me seriozitetin më të madh dhe ta fitojmë ndeshjen që të motivohemi para miqësores me Belgjikën”.
Këto dy ndeshje do të jenë të parat për përzgjedhësin e përkohshëm, Oscar Barro. Të martën Federata e Futbollit të Burkina Fasos ka njoftuar se gjashtë futbollistë nuk kanë mundur të udhëtojë për në Prishtinë nga Brukseli për shkak se nuk janë pajisur me viza shengen.