Sport

Viti 2018 do të mbahet mend për FBK-në

Viti 2018 do të mbahet mend për Federatën e Basketbollit të Kosovës, pasi arriti për herë të parë të organizojë Kampionatin Evropian në Divizionin C për grupmoshën U18. Në këtë divizion, Kombëtarja e Kosovës u shpall kampione, duke u ngjitur në një rang më lart për vitin 2019, në Divizionin B.

Në këtë vit, pati ndryshime edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Erolld Belegu dha dorëheqje nga posti i kryetarit të FBK-së, pas konsultimit me Agjencinë Anti-Korrupsion, që vlerësoi se posti i Këshilltarit të Kryeministrit, paraqet konflikt interesi edhe me postin e kryetarit, raporton “Sporti në KTV”.

Kështu FBK-ja, mbajti Kuvendin e jashtëzakonshëm për të zgjedhur kryetarin e ri, me dy kandidatë, Arben Fetahu dhe Artan Rugova.

Në ditën e Kuvendit, pas shumë polemikave ndërmjet kuvendarëve, Fetahu mundi Rugovën, falë katër votave më shumë, për t’u bërë kryetar i ri i FBK-së.

Kombëtarja A e Kosovës, vazhdoi garat në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”. Por “Dardanët” në këto parakualifikime nuk i udhëhoqi trajneri që shkroi historinë, amerikani Brad Greenberg, që i skadoi kontrata me FBK-në.

Federata e Basketbollit të Kosovës, angazhoi ish-basketbollistin e mirënjohur, Damir Mullaomeroviq, për ta udhëhequr Kosovën në këto parakualifikime. “Dardanët” në këtë garë si pjesë e Grupit B, pësuan tri humbje, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania.

Në vitin 2018, basketbolli i Kosovës u godit rëndë me vdekjen e Gazmend Sinanit, ish-basketbollistit të Prishtinës, i cili humbi jetën tragjikisht, në një aksident trafiku në Gjakovë.

Derisa po kthehej nga një ndejë, dhe derisa ishte pjesë e ekipit të Kosovës në përgatitje, makina ku ishte Sinani dhe basketbollistët Granit e Fisnik Rugova dhe Altin Morina, u aksidentua, që ishte fatale për Gazin, i cili vdiq në moshën 27-vjeçare.

Viti 2018 solli një befasi të madhe në basketbollin e Kosovës, pasi u ndal dominimi i Prishtinës. Ky vit ishte i ekipit nga Prizreni, Bashkimi që në të dyja konkurrencat u shpall kampion.

Basketbollistët e Bashkimit arritën që për herë të parë të shkruajnë historinë e klubit, duke fituar titullin e parë në Kosovë.

Prizrenasit pasi kishin dështuar disa herë në finale, përfshirë edhe dy finale gjatë vitit 2018, në Kupën e Kosovës dhe në Ligën Ballkanike, triumfuan në kampionat, kundër Prishtinës.

Bashkimi dominoi edhe te femrat, duke e kthyer titullin e kampionit pas një pritjeje prej shtatë vjetësh.

Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës, nisi me ndryshime të mëdha. Skuadra e Pejës, u përjashtua nga garat, pasi nuk mori licencën për të garuar, shkaku i borxheve të mëdha financiare ndaj FIBA-s.

Prishtina me shumë përforcime e nisi edicionin e ri, pasi për herën e dytë rresht do të paraqitej në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Në këtë rund, përballë kishte Donnar Groningenin e Holandës. Ndeshja e parë, u luajt në Prishtinë kurse bardhekaltrit bënë një hap të madh drejt kalimit në rundin e dytë, pasi triumfuan me 20 pikë dallim, 84:64.

Por, kjo epërsi nuk i mjaftoi për shkak se në ndeshjen e kthimit të zhvilluar pas vetëm pak ditësh në Holandë, Prishtina u eliminua për herën e dytë rresht nga Liga e Kampionëve në të njëjtin raund, bën të ditur “Sporti në KTV”. Duelin në Groningen, Prishtina e humbi me 25 pikë dallim 80:55, ndërsa basketbollistët Berisha e Myles u përleshen pas pjesës së parë, duke i dhënë hije të keqe klubit.

Eliminimi nga Championsi solli ndryshime në shtabin teknik të Prishtinës. Pas largimit të Zollnerit, ekipin e mori përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mullaomeroviq.

Ndonëse, u eliminua në Champions, Prishtina aventurën evropiane e vazhdoi në FIBA Europe Cup. Në këtë garë, Prishtina e shkroi historinë, pasi në tentimin e katërt arriti të kalojë me sukses fazën e parë të grupeve.

Kësisoj, kryeqytetasit bëhen ekipi i parë kosovar që siguron kualifikimin në fazën e dytë të grupeve në FIBA Europe Cup.

Ndeshjen e parë të fazës së dytë, Prishtina e humbi në udhëtim nga ekipi gjerman 95:77, por këtë e përmirësoi me fitore në shtëpi. Në ndeshjen e dytë, Prishtina mposhti ekipin hungarez Szolnoki (81:76) për ta mbyllur këtë vit me fitore në garat evropiane.

Prishtina është e pakonkurrencë edhe në kampionat. E mbylli në pozitën e parë me 26 pikë dhe si ekipi i vetëm pa humbje. Pas Prishtinës, vijnë Ylli dhe Rahoveci që dimërojnë në pozitat dy dhe tre. Top katërshen e Superligës e mbyll Trepça që rikthehet si e katërta pas një kohe të gjatë, ndërsa kampioni në fuqi Bashkimi nuk është as hija e ekipit që ishte në edicionin e shkuar.