Kundërshtarja e Dritës në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Viktoria Plzen, u ka bërë thirrje tifozëve të vet që ta mbushin stadiumin ku do të zhvillohet dueli i parë.
Më 27 korrik në orën 19:00, Drita luan në udhëtim te skuadra çeke në “Doosan Arena”, në ndeshjen e parë kualifikuese. Dueli kthyes luhet më 3 gusht.
Viktoria Plzen ka thënë se biletat për atë duel do të dalin në shitje nga 11 korriku. Ndeshja do të luhet në stadiumin që ka kapacitet prej afër 12 mijë shikuesve.
“Ndeshja e parë e sezonit. Për herë të parë në shtëpi me trajner Miroslav Koubek. Ndeshja e parë evropiane me pronarë të rinj. Asnjë tifoz i skuadrës nuk duhet të mungojë. Luhet në kohë pushimi, në një orar të këndshëm”, shkruan në faqen zyrtare të klubit.
“Vitin e kaluar tifozët luajtën rol shumë të rëndësishëm në kualifikimin tonë, le ta përsërisim”, ka thënë sulmuesi Jan Kliment.
Ndërkohë, trajneri Koubek ka theksuar se mezi pret që t’i shohë nga afër tifozët e skuadrës.
Edhe
Të hënën nis shitja e biletave për ndeshjen Drita - Viktoria Plzen
“Ne duam që të gjithë ‘victorianët’ të jenë në stadium për këtë ngjarje. Sigurohuni që u keni treguar gjithë atyre që i njihni, shoqërisë dhe familjarëve, që mos ta humbin këtë ndeshje. Përdorni #prvnizapas #plnystadion në të gjitha rrjetet e juaja sociale. Do ta mbushim ‘Doosan Arenan!’”, thuhet në njoftimin e Viktoria Plzenit të premten.
Bileta më e shtrenjtë është 15-të euro.
Ka edhe bileta prej 13-të, dhjetë e tetë euro.