Trajneri i Interit, Antonio Conte do ta ketë në dispozicion mesfushorin Arturo Vidal për derbin kundër Milanit që luhet këtë vikend, kanë raportuar mediumet italiane të mërkurën.
Vidal i mungoi Interit në ndeshjen e fundit kundër Lazios, të cilën e fitoi me rezultatin 3:1 për shkak të lëndimit të gjurit. Mirëpo, mesfushori kilian tashmë po stërvitet me intensitet të plotë me pjesën tjetër të ekipit dhe pritet të jetë i gatshëm për duelin kundër Milanit, që luhet të dielën prej orës 15:00.
Pas 22 xhirove të luajtura këtë edicion në Serie A, Interi është lider me 50 pikë të mbledhura, një më shumë se Milani që zë vendin e dytë. Vidal, i cili iu bashkua Interit para fillimit të sezonit nga Barcelona, deri më tani ka dy gola e po aq asistime në 26 ndeshje në të gjitha garat.