Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës 78:73, në kuadër të xhiros së 11-të të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll. Dy periudhat e para të ndeshjes ishin barabarta me prishtinasit që arritën të shkonin në pushim me tri pikë epërsi 35:32.
Suharekasit e nisën më mirë pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë, 22:19, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 54:54. Në 10 minutat e fundit u vendos fituesi i kësaj përballje. Ylli shkëputet në 74:67, por prishtinasit nuk dorëzohen dhe afrojnë rezultatin në 74:73 megjithatë, nuk arritën të bëjnë më shumë dhe Golden Eagle Ylli triumfoi 78:73.
Te Golden Eagle Ylli u dalluan Cody John me 16 pikë e pesë asistime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Fisnik Rugova dhe Edmond Azemi me 19, përkatësisht 17 pikë.
Golden Eagle Ylli ka gjashtë fitore dhe pesë humbje, kurse Sigal Prishtina tri fitore dhe tetë humbje. Fitore të rëndësishme në udhëtim ka shënuar Vëllaznimi. Skuadra nga Gjakova arriti të mposht Trepçën në palestrën “Minatori” 91:86 në një ndeshje dramatike.
Vëllaznimi me këtë fitore pozicionohet në vendin e gjashtë me 15 pikë kurse Trepça është në vendin e fundit me 13 pikë.