Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vdiq trajneri i gjimnastikës Hamdi Halimi

Ka vdekur në moshën 61-vjeçare trajneri i gjimnastikës Hamdi Halimi.

Halimi ishte i njohur për punën e tij në promovimin e gjimnastikës dhe atletikës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me këtë rast ngushëllime familjes Halimi i kanë shprehur kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Telegram ngushëllimi nga Besim Hasani:

E nderuara familje e z.Hamdi Halimi, të nderuar përfaqësues të komunitetit të sportit

Me pikëllim dhe dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e punëtorit të madh sportiv, z.Hamdi Halimi.
Z.Halimi ishte kudo ku kishte ngjarje sportive. Angazhimi i tij ishte i pamohueshëm, duke dhënë kontribut të madh vullnetarisht.

‘JO’-ja për Hamdiun nuk ekzistonte, sa herë që federatat e ndryshme kërkonin përvojën dhe ndihmën e tij.
I tillë ishte edhe në ngjarjet e organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe e fundit që dha kontribut të çmuar ishte Dita Olimpike 2017. Entuziazmi i tij që vrapimi dhe rezultatet e mbi 2 mijë fëmijëve të kenë mbarëvajtjen e duhur, ishin të pashoqë. 

Fjalët për të përshkruar atë që bënte Hamdiu për aktivitetet e shumta sportive, janë më të paktat që mund të bëhen për një njeri siç ishte ai. 

Dashuria e tij për dijen dhe protagonizmi i tij pozitiv i kudondodhur në aktivitete sportive dhe në trajnimet e Lëvizjes Olimpike do të na mungojnë të gjithëve. 

Halimi ka qenë trajner në gjimnastikë, është marrë shumë me atletikë dhe ka kontribuar për sportin në përgjithësi. 

31 tetori i vitit 2017 do të kujtohet për humbjen e një njeriu plot entuziazëm, një njeriu me vlera për shumë federata sportive. 

Ndaj, në emrin tim personal dhe në emër të Lëvizjes Olimpike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes tuaj, miqëve, sportdashësve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin figurën e z.Hamdi Halimi.

Me respekt,

Besim Hasani
President i Komitetit Olimpik të Kosovës

Telegram ngushëllimi nga ministri Gashi:

E nderuara familja Halimi,

Lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj, trajnerit shumë vjeçar të gjimnastikës e atletikës, Hamdiut, e morëm me pikëllim të madh. Hamdiu ishte ndër punëtorët dhe kontribuuesit e vyeshëm, i cili në vazhdimësi, para dhe pas lufte është angazhuar me përkushtimin e tij më të madh për promovimin, zhvillimin dhe avancimin e sportit në Kosovë. Me kontributin e tij, Hamdiu, ka bërë që të jetë mik i respektuar i tërë atyre që e kanë njohur në botën e sportit dhe jashtë saj, të jetë i vlerësuar dhe fjala e tij të zë vend.

Ndarja e hershme e Hamdi Halimit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për sportin e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për sportin e Kosovës

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Hamdi Halimit.