Sport

Vazhdon rrugëtimi interesant i Valdet Ramës, ai nënshkruan për skuadër të re

Prishtinë, 3 janar – Ish-reprezentuesi i Shqipërisë, Valdet Rama, vazhdon të jetë pjesë e futbollit gjerman. 34-vjeçari, Rama, të hënën e ka realizuar transferimin e radhës. Ai fillimisht shkëputi kontratën me skuadrën e kategorisë së tretë, SV Meppen, dhe më pas zyrtarizoi kalimin te një skuadër e kategorisë së katërt.

Sulmuesi i krahut këtë edicion ka luajtur vetëm tri ndeshje në kategorinë e tretë gjermane, gjithsej 24 minuta. Dhe për mungesë hapësire ka vendosur të zhvendoset një ligë më poshtë. Ai ka firmosur me skuadrën Wuppertaler.

Te Meppeni, Rama ishte prej vitit 2019. Ka luajtur 53 ndeshje për këtë skuadër, ndërsa ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë pesë asistime.

“Me Valdet Ramën kishim në përbërje një lojtar me përvojë dhe shumë kreativ. Për fat të keq ai e ka fituar rrallë rastin këtë edicion për shkak të një lëndimi. Duam ta falënderojmë Valdetin për përkushtimin e tij dhe t’i dëshirojmë çdo të mirë”, ka thënë drejtori sportiv i Meppenit, Heiner Beckmann.

Rama ka pasur karrierë goxha interesante. Mësoi futbollin në Gjermani, ndërsa luajti me shumë sukses për Ingolstadtin në Bundesliga 2, në edicionin 2008/09. Ishte edicion i shpërthimit. Më pas u transferua te Hannoveri dhe i luajti 15 ndeshje në Bundesligë. Por, nuk u stabilizua dhe luajti më pas në ekipin e dytë të Hannoverit. Një lëvizje jo shumë tipike ishte për në Suedi, ku ai firmosi me Orebron, në vitin 2011. Pra, nga skuadra e Bundesligës kaloi tek ekipi suedez, që vlerësohej hap prapa.

Por u ngrit sërish. Madje u transferua në La Liga të Spanjës. Për Real Valladolidin i luajti pesë ndeshje në edicionin 2012/13 e 26 të tjera në edicionin 2013/14.

U kthye në Gjermani ku luajti për Munich 1860 në Bundesliga 2, për dy edicione. Vazhdoi te Wuerzburger Kickers po në Bundesliga 2, ndërsa një periudhë e kaloi edhe në Superligën e Kinës. Në vitin 2017 ishte te skuadra Yanbian Funde, ku luajti shtatë ndeshje. Më pas luajti për Kukësin në Shqipëri para se të transferohej në kategorinë e tretë gjermane te Meppeni.

Skuadra e re e Ramës, Wuppertaler, luan në një prej grupeve të Regionalligas, kategorisë së katërt gjermane.

“Me Valdetin e kemi lojtarin me të cilin folëm në verë dhe për të cilin ishim të interesuar. Ai përfundimisht është lojtar që e bën dallimin, që ofron lojë të mirë një kundër një dhe që ka fituar përvojë në nivelin profesional. Jemi plotësisht të bindur që do të përshtatet në ekipin tonë. Për këtë jemi të lumtur që përfundoi kaq shpejt”, ka thënë Stephan Kuesters, drejtor sportiv i Wuppertalerit.

Futbollisti që ka luajtur në dy prej ligave më të mëdha evropiane, Rama është shprehur i lumtur për kalimin te skuadra e re.

“Jam vërtet i lumtur që bëhem pjesë e familjes së WSV-së. Erdha në Wuppertal plotësisht i motivuar. Ekipi ka luajtur shumë mirë në pjesën e parë dhe unë do të jap më të mirën që të shkojmë tutje në pjesën e dytë të kampionatit”, ka thënë Rama.

Mitrovicasi Rama ka luajtur 15 ndeshje për Shqipërinë nga viti 2013 e deri në vitin 2015. Ka shënuar tri gola. Ka realizuar ndaj Norvegjisë, Armenisë dhe Islandës.