Ndeshja në La Liga. Ndeshje në Bundesligë dhe në shumë kampionate të tjera. 15 paraqitje për Shqipërinë. Gola të bukur, driblime, shpërthime në krah. Valdet Rama flet me mburrje kur analizon karrierën si futbollist profesionist. Karrierës, së cilës ka vendosur t’i japë fund.
Mitrovicasi ka vendosur të përshëndetet nga futbolli profesionist në moshën 35-vjeçare. Rama është rritur e zhvilluar në Gjermani dhe në këtë vend e ka kaluar shumicën e karrierës. Ka veshur edhe fanellën e Kosovës, ndërsa ëndrra e futbollit e ka dërguar edhe në Suedi, Kinë e Shqipëri.
“Do ta përfundoj karrierën si profesionist. Jam shumë i lumtur që e kam realizuar ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist. Normalisht lartësia nuk ka fund, por kjo ishte rruga ime dhe jam i lumtur”, ka thënë Rama për KOHËN.
Ai ka luajtur kryesisht si sulmues krahu. Së fundi ishte te Wuppertaleri në kategorinë e katërt gjermane.
Në La Ligan spanjolle ka luajtur 31 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Në Bundesligë i ka 15 ndeshje. Në Bundesliga 2 i ka të evidentuara 102 ndeshje, tetë gola e 13 asistime. Në Allsvenskan e Suedisë i kishte 50 ndeshje e dhjetë gola. Valladolidi ishte skuadra e tij në Spanjë, ndërsa në Gjermani kulmin e arriti me Hannoverin. Ka luajtur edhe për Wolfsburg II, Ingolstadt, Orebro (Suedi), Munich 1860, Wuerzburger Kickers, Yanbian Funde (Kinë), Kukës, Meppen e Wuppertaler.

Rrugën nuk e kishte të lehtë.
“Në Gjermani kam shkuar në vitin 1996 së bashku me familjen. I kisha tetë vjet dhe nuk e kemi njohur sistemin e Gjermanisë. Na është dashur kohë që të përshtatemi. Në një vend të madh si Gjermania më besoni që nuk është lehtë të arrihet. Konkurrenca është shumë e madh. Dhe unë kam luajtur 17 vjet si profesionist dhe jam i lumtur. Gjithnjë e kam pasur ëndërr të bëhem lojtar profesionist dhe kam sakrifikuar për këtë. Pa sakrificë dhe besim është e pamundur të arrihet”, ka shtuar Rama.
Me paraqitjen në Bundesligë, Valdet Rama e ka plotësuar një synim. Ndërsa kalimi në La Liga ishte tjetër ëndërr e tij e realizuar.
“Isha shqiptari i parë në La Liga dhe luajta kur kampionati spanjoll ishte në nivelin më të lartë. Ishin lojtarë si Messi, Ronaldo, Iniesta”, thotë Rama.
Me krenari përmend fitoren 1:0 ndaj Barcelonës, më 8 mars të vitit 2014. Messi, Neymar, Xavi, Fabregas, Busquets, Pedro, Alves, Pique ishin në fushë për Barcelonën. Rama kishte luajtur prej minutës së 71-të për Valladolidin.
Ai i veçon ndeshjet e para në Bundesligë dhe La Liga, lojën e parë me Kosovën dhe lojën e parë me Shqipërinë.
“Do të jenë gjithnjë në zemrën time”.
Rama fokusin e ka te karriera pas asaj të lojtarit. Thotë se ndoshta do të luajë në kategorinë e gjashtë gjermane, si amator, e njëkohësisht do të nisë një trajnim për drejtues sportiv dhe shkollimin për trajner.