Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vazhdon ardhja e basketbollistëve amerikanë

Golden Eagle Ylli e Ponte Prizreni që bëjnë gara në Superligën e Kosovës në basketboll, të premten kanë paraqitur për regjistrim nga një lojtar të huaj, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Skuadra nga Suhareka ka marrë qendrën Javis Howard (203 cm), pasi i ka dështuar angazhimi i Jervon Pressleyt për shkak të problemeve me dokumentacionin, raporton Koha Ditore.

Howard së fundi ka luajtur në Britani te skuadra e Portsmouthit, kurse me fanellën e Yllit do të debutojë të dielën në duelin kundër Boreas. Ai do të jetë i huaji i katërt tek Ylli pas Terrell Everettit, Romelo Banksit e Robert Jonesit.

Katër të huaj do t'i ketë edhe Ponte Prizreni, pasi tashmë ka angazhuar edhe fundorin Cristian Bradford që së fundi është angazhuar në NCAA1 te Radford Highlanders University. Te Ponte të huaj janë edhe Brandon Scott, Eliott Cole e Jaquan Smith, i cili ka një muaj që është i lënduar.

Ndërkohë krahas ekipeve të elitës, përforcim të huaj ka paraqitur edhe skuadra e Penzës (meshkujt) që bën gara në Ligën e Parë. Penza ka angazhuar amerikanin Shamal Xavier Richards.