Kombëtarja e Kosovës në konkurrencë të femrave të martën ka mësuar kundërshtarët e kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror për hendbolliste që mbahet në vitin 2019.
Shorti është hedhur në kuadër të Kongresit të EHF-së që po mbahet në Glasgow të Skocisë.
Kosova ishte në vazon e dytë prej tri sa ishin gjithsej, ndërsa për kundërshtarë në grupin e parë i ka Sllovakinë, Ukrainën e Izraelin. Sllovakia ishte në vazon e parë, Ukraina në të dytën, njëjtë si Kosova, ndërsa Izraeli në të tretën. Në grupin e dytë janë Zvicra, Ishujt Faroe, Lituania e Finlanda.
Në të tretin bëjnë pjesë Bjellorusia, Italia, Portugalia e Greqia, ndërsa në të katërtin janë Turqia, Maqedonia, Islanda e Azerbajxhani.Botërori i hendbollistëve mbahet vitin tjetër në Japoni, ndërsa kjo është faza e parë kualifikuese evropiane. Katër fituesit e grupeve shkojnë tutje, njëjtë si përfaqësuesja e dytë me bilancin më të mirë.