Mbrojtësi Virgil van Dijk ka pranuar se mënyra e fitores së Liverpoolit ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve ishte “masive”, por ka shtuar ekipi i tij është i përgatitur për kundërpërgjigje nga “Qytetarët”.
Liverpooli të martën udhëton në Manchester me 3 gola epërsi dhe asnjë të pësuar dhe është afër gjysmëfinales së garës evropiane, por mbrojtësi e di që ekipi duhet të jetë gati për një kundërpërgjigje nga lideri i Premier Ligës.
“Është masive të shkojmë në Manchester me tre gola epërsi dhe portën e paprekur”, ka thënë Van Dijk.
“Pjesa e parë ishte e mirë; kishte disa gjëra që është dashur t’i bëjmë më mirë. Në pjesën e dytë patëm vështirësi; nuk ishim të qetë dhe dështuam në disa raste. Por ishte e rëndësishme të mos pësonim”, ka shtuar mbrojtësi holandez.
“Është e qartë se do të jetë e vështirë, por duhet të jemi të përgatitur. Ata do të kundërpërgjigjen dhe ne duhet të jemi gati për të luajtur lojën tonë”.