Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Van Dijk: Liverpooli kishte nevojë për Alissonin

Virgil van Dijk beson se ardhja e Alisson Beckerit do të ndihmojë Liverpoolin të arrijë objektivat e tij këtë sezon. Braziliani ishte një “spektator virtual”, kur bëri debutimin e tij në Premier League, të dielën e kaluar, duke qenë se “Reds” e mposhtën 4-0 West Hamin.

I marrë nga Roma për 65 milionë funte, Alissoni është kontraktuar për të sjellë qetësi dhe prezencë, për të bërë rolin e nr.1 në një mënyrë që as Loris Kariusi as Simon Mignoleti nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë gjatë dy sezoneve të kaluara.

Dhe megjithëse është ende herët, testet më të mëdha se West Hami qëndrojnë në pritje, Van Dijk beson se 25-vjeçari brazilian tashmë është duke bërë ndryshimin. “Shumë mirë,– tha holandezi, kur u pyet se si Alissoni po paraqitet në “Merseyside”, shkruan ksp.

“Ne flasim shumë. Ai është shumë i zëshëm dhe kjo na ndihmon si mbrojtës. Më ndihmon mua dhe të gjithë në vijën e prapme. Unë mendoj se prezenca e tij është shumë e mirë. Alissoni ka shumë cilësi në raport me topin dhe kjo na ndihmon të luajmë. Natyrisht, të gjithë kemi akoma shumë për të bërë”.

Nëse Liverpooli do të jetë i suksesshëm këtë sezon, atëherë të dy, Alissoni dhe Van Dijku, kanë gjasa të luajnë role të mëdha. Jurgen Kloppi beson se skuadra e tij është “mjaft e fortë dhe mjaft e gjerë” për të sfiduar trofetë kryesorë. Dhe të tijtë e kanë filluar sezonin mirë.

Van Dijk, megjithatë, nuk po sheh shumë larg: “Gjëja më e rëndësishme është që të shikojmë veten, jo të merremi me të tjerët”, shtoi ai. “Ne e dimë se tani kemi një skuadër të mirë. Kemi shumë lojtarë cilësorë. Gjithkush që luan për Liverpoolin ka shumë cilësi. Por, gjithçka ka të bëjë me qëndrueshmërinë. Ne duam të sfidojmë për çdo lloj konkurrence. Mund të bëjmë shumë më mirë dhe ky është vetëm fillimi. Mendoj se çelësi i suksesit do të jetë qëndrueshmëria”.

Artikuj të ngjashëm