Skuadra e La Ligës spanjolle ka përgënjeshtruar pretendimet e Rodrygos, që ka thënë se bashkëlojtari i tij, Vinicius Junior, është fyer në baza racore.
Valencia të enjten ka publikuar komunikatë për media dhe ka nënvizuar se futbollisti i Real Madridit ka gënjyer se bashkëlojtari i tij është fyer në stadiumin “Mestalla”.
“Valencia shpreh keqardhje dhe mohon kategorikisht deklaratat e rreme nga Rodrygo Goes, ku thotë se të gjithë tifozët në stadium kanë përdorur thirrje raciste”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit spanjoll.
Valencia u është referuar deklaratave të Rodrygos në konferencën për shtyp të mërkurën, para miqësores së Brazilit kundër Guinesë, që luhet të shtunën.
“Isha në fushë. Kam dëgjuar nga të gjithë në stadium thirrjet ‘mono’. Kjo më ka ndodhur edhe mua”, ka deklaruar Rodrygo. Fjala ‘mono’ ka kuptimin majmun. Por kjo është mohuar nga skuadra e Valencias dhe ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këto deklarata.